Pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri i vendit Edi Rama ka komunikuar rritjen e pagave për një sërë profesionesh. Sipas Ramës kjo reformë e qeverisë do zhvillohet në dy hapa.

Faza e parë është tani me rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit në sektorin e sigurisë, mjekët dhe infermierët thotë kreu i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër do paguhen Prillin e ardhshëm.

Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në  administratën qëndrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm se paga e tyre do shkojë mbi 100 mijë lekë, apo në arsimin bazë nga 74 mijë në 95 mijë. Këto janë shifra bazë pastaj kohëzgjatja në detyrë, vjetërsia e punës dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë dhe më mirë se sa ç’duhej nga niveli bazë.

Është koha për rritje të konsiderueshme të pagës së pedagogëve në universitete me 20% duke u dhënë diskrecion që të shkojnë në 30%. Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermierëve që do kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë sipas pozicioneve në punë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh. Në mënyrë të ndjeshme kemi rritur pagat për Forcat e Armatosura dhe për gjithë sistemin e sigurisë dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrëfikësit të cilët janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë duke qenë se zjarret janë gjithmonë e më të pranishme për shkak të ndryshimeve klimatike, kemi rritur pagën e zjarrfikësve dhe dhe do e çojmë deri në 80 mijë lekë.

E gjitha kjo do bëhet në dy hapa. Hapi i parë do jetë tani me mësuesit, sigurinë, mjekët dhe infermierët menjëherë  dhe ky hap i parë do të jetë për gjithë të tjerët pasi Parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do jetë Prillin e ardhshëm kur do bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash në Republikën e Shqipërisë dhe do mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”, deklaroi Kryeministri./tvklan.al