Rama ripërsërit ftesën për bashkëpunim me Bashën: I gatshëm të shkoj përtej ndasive të 30 viteve



Rama ripërsërit ftesën për bashkëpunim me Bashën: I gatshëm të shkoj përtej ndasive të 30 viteve

12:00 15/04/2021

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë se është i gatshëm për të bashkëpunuar me kryedemokratin Lulzim Basha. Por kjo, sipas Ramës duhet të bëhet kur kryetari i opozitës të ndahet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Ndër të tjera, Rama tha para të rinjve në Kamëz se është i gatshëm që të shkojë përtej të gjitha ndasive të 30 vjetëve të fundit. Por për këtë ai renditi një sërë cilësish që sipas tij një lideri si ai i ka, ndërsa kryetari i opozitës jo.

“Çështja nuk është do fitojë apo s’do fitojë PS, çështja është si ne do të shkurtojmë kohën, si ne do të afrojmë të ardhmen, si do ta prekim të ardhmen shumë më shpejt sesa përndryshe do ta preknim nëse nuk do të bëheshim bashkë, bashkë, bashkë. E di fitore, fitore, por më lini ta nxjerr këtë mendim. E di fitoren e di, se fitorja nuk diskutohet. Por më lini ta nxjerr këtë mendim që të them për çfarë na duhet fitorja, se fitorja nuk është për mua. Fitorja nuk është as për Elisën, as  për deputetët, fitorja nuk është për politikanët, fitorja nuk është ministrat, fitorja nuk është për drejtorët, fitorja është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Më lejoni të them se si është. Fitorja është për të gjitha ato gra që shohin televizor, që janë nëna dhe luajnë mendsh që shohin politikanët që zihen me njëri-tjetrin. Kur shohin partitë që kacafyten me njëra tjetrën. Kur shohin burra që i japin gojës deri në atë pikë që është për t’u tmerruar se ke kalamanin afër. Fitorja është për të gjitha gratë e vajzat që i kemi mbështetur dhe sot janë shumë më brenda jetës sociale, janë shumë më të pranishme në përfaqësim se dje, por ku e ku me aty ku duhet të jenë. Grave dhe vajzave ju duhet jo një fitore e PS-së, ju duhet një fitore që shkon përtej pandemisë, që shkon përtej politikës, që shkon përtej partive. Ku shkon në atë drejtim ku ato shohin çdo mëngjes sa hapin sytë deri natën vonë kur mbyllin sytë pasi kanë vënë fëmijët në gjumë, të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për këtë është fitorja. Që ta mbaroj, më thotë ai gazetari “je ti gati të bashkëpunosh me Lulzim Bashën”. Patjetër, padiskutim, por me një kusht, duhet të ndahet nga Saliu dhe nga Iliri. Dhe Lulzim Basha përgjigjet. Dhe përgjigja e tij është thjesht dhe vetëm pohim i faktit që ai nuk është një lider, ai nuk është një udhëheqës, ai është udhëndjekësi i Saliut dhe i Ilirit. Sepse unë për Shqipërinë, për shqiptarët jam i gatshëm të shkoj përtej të gjitha ndasive të 30 vjetëve, por që ta bësh këtë duhet të jesh lider, që ta bësh këtë duhet të jesh udhëheqës, që ta bësh këtë duhet të kesh forcën e karakterit, duhet të kesh vizionin e të ardhmes, që ta bësh këtë duhet që të jetosh së brendshmi me hallet, me stresin, me problemet, me aspiratat, me ëndrrat e njerëzve. Që ta bësh këtë duhet të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa çati. Duhet të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa gjumë dhe ata se kanë ankthin se është pandemia. Për ta bërë këtë duhet të jesh mishërimi i atij karakteri shqiptar që ne e adhurojmë në këngët dhe vjershat e rrëfimet e prindërve dhe nëse ne e mishërojmë më 25 Prill dhe e kthejmë në një fuqi të madhe transformuese nuk e ndal Shqipërinë asgjë. Ne nuk na ndali armiku i padukshëm, ne nuk na ndali tërmeti. Kush do të na ndalë ne? S’ka asnjë sfidë që ne nuk e fitojmë”, tha Rama./tvklan.al







Të ngjashme