Rama: Rrogat e mjekëve dhe infermierëve jo fikse, do të paguhen sipas performancës



Rama: Rrogat e mjekëve dhe infermierëve jo fikse, do të paguhen sipas performancës

17:31 19/02/2021

Duke ndjekur punimet për ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal të Fierit, Kryeministri Edi Rama ka thënë se sistemi shëndetësor në Shqipëri do të transformohet tërësisht.

Dhe për këtë do të shërbejë metodologjia e punës që do të aplikohet në këtë spital.

Kështu, Kryeministri Edi Rama është shprehur se rrogat e mjekëve dhe infermierëve nuk do të jenë fikse, por pagat e tyre do të bëhen në bazë të performancës.

Ky do të jetë Spitali Rajonal i Fierit, do të jetë pjesë e sistemit të shërimit tonë shëndetësor publik. Por do të administrohet krejt ndryshe. Do jetë qendër pilot e transferimit të dijes dhe vënies në funksion të autonomisë spitalore Që me t’u implementuar këtu, do të shtrihet dhe në spitalet e tjera. Që do të thotë se buxheti do të menaxhohet nga spitali, rrogat nuk do të jenë fikse njësoj për të gjithë, por mjekët dhe infermierët do të paguhen sipas performancës. Pra, sipas numrit të operacioneve, numrit të vizitave, e një sërë kriteresh të tjera që ka performanca.

Ndryshimi i sistemit shëndetësor sipas kësaj praktike, sipas Kryeministrit Edi Rama, do të shërbejë edhe për pastrimin e personelit jo të denjë, duke iu referuar rastit të sanitares Tire Alldërvishi dhe bashkëpunëtorëve të saj në spital që u merrnin para pacientëve me Covid-19.

“Lajmi i mirë për mua është ky spital platforma për të filluar pastrimin e tyre. Sepse mënyra si funksionon sistemi bën që të garantohet transparencë. I gjithë sistemi do të transformohet në këtë sens”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al







Të ngjashme