Shpifje dhe dezinformim i konsideron kryeministri Edi Rama deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me vaksinën kineze. Kreu i qeverisë tha gjatë një takimi elektoral në Kolonjë, se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë kumbarët e vërtetë të PD-së, ndërkohë që Basha është vetëm fasadë.

Ai hodhi akuza ndaj Berishës duke thënë se është “turp të luash me jetën dhe qetësinë shpirtërore të njerëzve”. Rama bëri thirrje për të mos shpifur dhe mos përhapur lajme të rreme. Ai u shpreh se vaksinat kundër koronavirusit po kthejnë jetën.

“Luli është vetëm fasada e nxjerrë përpara, dhëndri i buzëqeshur që është nxjerrë përpara, Gjinua, për të krijuar idenë që po bëhet dasmë. Kumbarët e vërtetë janë Saliu dhe Iliri. Saliu që kall panik në shpirtin e njerëzve duke u thënë mos u vaksinoni sepse vaksinat vdesin njerëz. Del edhe Gjino dhe e përsërit prapë se e ka thënë ai me siguri, ore ti pse nuk e flet këtë punë. Doli ai të flasë që kanë vdekur njerëz nga vaksinat. Turp! Turp, s’ka më turp, të luash me jetën dhe qetësinë shpirtërore të njerëzve që janë të ankthosur prej një viti e kusur për të dalë nga kjo situatë dhe kur ajo drita në fund të tunelit vjen duke u zmadhuar, këta prapë kthehen aty. Si ka mundësi? Ndodh një përmbytje këta janë me përmbytjen. Ndodh një tërmet këta janë me tërmetin. Vjen virusi, këta janë me virusin. Si nuk u bënë njëherë këta me Shqipërinë dhe shqiptarët. si nuk u bënë njëherë këta përbashkues, jo për të mbështetur qeverinë, por për të mbështetur, qartësuar dhe ndihmuar njerëzit. Së paku duke mos shpifur, duke mos përhapur lajme të rreme, duke mos i mbytur njerëzit me dezinformim. Ky është kulmi, vaksinat të marrin jetën. Përkundrazi, vaksinat po kthejnë jetën dhe Shqipëria do të buzëqeshë shumë shpejt përsëri siç po qeshin gjyshërit me mijëra në çdo cep të Shqipërisë sepse më në fund mund të dalin nga shtëpia, mund të takojnë nipërat dhe mbesat. Ndërkohë që ata po marrin frymë lirisht, del Saliu, gogoli dixhital, edhe vazhdon me historinë e tij. Si mundet? Çfarë mund të sjellin këta për Shqipërinë”, tha Rama. /tvklan.al