Keqinformim për arsye politike dhe mediatike

, e vlerëson kryeministri Edi Rama mënyrën sesi u transmetuan mesazhet që përcolli samiti i Berlinit. Përpara grupit parlamentar socialist në një mbledhje të hapur për mediat, Rama tha se nuk shkoi në atë takim për t’u njohur me vendimin e Gjermanisë dhe Francës për çeljen e negociatave, pasi samiti kishte tjetër fokus. Por gjithsesi, përsa u përket negociatave ai thotë se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe vendimi lidhet vetëm me politikën e brendshme të Bashkimit Europian.

“Nuk shkova në zyrën e Merkelit për tu njohur me qëndrimin për Shqipërinë. Është folur për Shtatorin nga pala gjermane, por kurrsesi për mosçeljen e negociatave për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë”.

Kryeministri përgënjeshtroi edhe deklaratat e bëra nga përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve presidenti francez Emanuele Macron ka deklaruar se nuk do t’i hiqen vizat Kosovës, për shkak të precendetit të krijuar me rritjen e kërkesave për azil nga Shqipëria.

“Pa pikë turpi që nga Saliu e deri tek dajë Titi kanë fajësuar qeverinë tonë në emër të Macron, i cili e ka vlerësuar uljen me 40 % të numrit të azilkërkuesve për vitin e shkuar. Mjerë ky vend për rrugëhumburit dhe Kadrinjtë që shpikin çdo ditë”.

Rama akuzon opozitën se po lëviz çdo gur për të bërë përgjegjëse qeverinë për këtë proces për të cilin thotë se qeveria e tij ndihet krenare për çfarë ka bërë deri më tani.

“Ne e kemi çuar Shqipërinë në derën e paradhomës së BE. Është e sigurt se kemi sot marrëdhëniet me të mira me Gjermaninë dhe Francën”.

Thotë me siguri se e di atë që do të marrë opozita nëse vijon me rrugën e nisur sikurse me siguri thotë se shtyrje të zgjedhjeve nuk ka.

E sa i takon zgjedhjeve të Qershorit, në mbledhjen qe vijoi me dyer te mbyllura Rama ka porositur deputetët që kandidatët që propozojnë për kryetar bashkie të jenë më të besueshmit e të zgjidhen sikurse të kishin përballe opozitën. Porosi kjo që vjen vetëm 10 ditë përpara përfundimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve në KQZ dhe kur shumica e tyre janë bërë publik tashmë nga vetë kryeministri gjatë takimeve “Bashkia që duam”.

Tv Klan