Qeveria përgatit tjetër financim për fermerët

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një konference se brenda këtij viti do të vijnë satelitët. Kreu i qeverisë sqaroi shkurtimisht se satelitët janë vonuar për shkak të procedurave.

Kryeministri foli gjatë një konference për bujqësinë ku tha se do të shërbejnë për të adresuar shkallën e fiktivitetit tek fermerët që kërkojnë subvencionimin e naftës. Kreu i qeverisë u shpreh se deri më tani mbi 50 mijë fermerë kërkojnë naftë.

Por kur kjo shifër ballafaqohet me numrin e mjeteve bujqësore në terren nuk del llogaria. Prandaj ai u shpreh se në të ardhmen, fermeri që do të marrë naftë do të sjellë edhe faturat ku do të tregojë që ka prodhuar dhe ka shitur.

Po ashtu, ai njoftoi se në të ardhmen do të ketë një financim tjetër për fermerët që duan naftë.

“Meqë jemi në kushtet e një situatë ku na është dashur të financojmë ekstra edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të thënë që po përgatisim një financim tjetër për fermerët. Sepse financimi i parë ishte për një fazë. Por ka një gjë tani se na ka ardhur tani kjo bashkë me dobësinë që na është shfaqur përpara e plotë… Sot në mëngjes folëm me ministren për këtë që kërkesa për naftë është rritur eksponencialisht. Kemi vajtur mbi 50 mijë që duan naftë. Kjo është e mirë në një aspekt, por kjo ka edhe një problem në një aspekt tjetër. Kjo është e mirë sepse na çon drejt formalizimit. Por ka edhe një problem. Nëse këtu mbi 50 mijë fermerë duan naftë, por më fal, sa traktorë dhe sa mekanizatorë ka ky vend se nuk del llogaria? Ka një shkallë fiktiviteti. Tani kjo shkallë fiktiviteti si do të adresohet? Do të adresohet pikërisht teknologjisë dhe formalizimit. Nga një anë me regjistrin e fermës, regjistrin dixhital të fermës dhe vënien në përdorim të dronëve dhe satelitëve që për arsye procedurash kanë marrë pak më shumë kohë seç ne kishim parashikuar, por që do të vijnë brenda këtij viti, shpresojmë dhe me faturat. Naftën do ta marrësh, por do të sjellësh faturat tani. Nuk do të mjaftojë vetëm që po marr këtë naftën se kam këtë naftën këtu, por do vijnë dhe faturat, dhe raporti që ti ke marrë naftën dhe ke shitur, pra ke prodhuar dhe ke shitur. Për atë sasi do vazhdosh të kompensohesh. Do të thotë që është një hap tjetër për t’u hedhur do kërkojë kohën e vet. 5 mijë të tjerë janë në proces që po u jepet subvencioni”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh optimist kur tha se bujqësia mund të shkojë në një nivel tjetër, por kjo sipas tij bëhet vetëm duke bashkuar dijen e të gjithë fermerëve. Fragmentimin e tokës e sheh si një problematikë të kapërcyeshme në momentin që komuniteti është i bashkuar.

“Jam shumë optimist që do ta çojmë në një nivel tjetër bujqësinë. Refuzoj të pranoj që bujqësia në Shqipëri mund të shkojë përpara me lëmosha apo me subvencione apo me politika fiskale të cilat krijojnë vetëm iluzione dhe nuk prodhojnë sukses. Jam optimist që edhe fragmentimi i tokës është problem i kapërcyeshëm në momentin ku tokën e kemi të fragmentuar, por nuk kemi të fragmentuar trurin dhe nuk kemi të fragmentuar komunitetin. Nëse arrijmë të bashkojmë trurin dhe të çojmë në drejtim komunitetin nuk ka qershi që nuk shitet. Nëse rrimë të ndarë bëhet problem edhe fragmentimi i tokës, edhe fragmentimi i mekanikës dhe gjithçkaje. Marrim pastaj një rezultat të fragmentuar”, u shpreh Rama./tvklan.al