Qeveria ende nuk ka marrë një vendim për projekt/propozimin e Jared Kushner për të ndërtuar në ishullin e Sazanit një resort të markës së njohur të hotelerisë Aman.

Kryeministri thotë se propozimi i depozituar pranë Agjencisë së Investimeve Huaja do ta shqyrtojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Flasim për një aplikim të cilin ne do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit, mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim”, tha Rama.

Por pavarësisht se vendimmarrja për pranimin e këtij investimi nuk është firmosur ende, Rama flet për përfitimet që ka vendi nga investimet e huaja në turizëm.

“Sot ne diskutojmë për ekselencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejtë e atyre që janë luanët e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull. Realizimi i këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët”, tha ai.

Kryeministri siguron se nuk do të negociohet për interesa personale, por do të ndiqet praktika që u ndoq për projektin e portit ri tregtar të Durrësit.

“Nuk bëhet fjalë për të falur asgjë që është e shqiptarëve, përkundrazi jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit. Përmes shtetit që është aksioner”, u shpreh kryeministri.

Në oborrin e selisë rozë, në të cilët kryesocialisti u ndal mëngjesin e kësaj të marte për një mbledhje të shkurtër organizative me drejtuesit politik të kësaj force, Rama u pyet dhe për Amnistinë Penale që pritet të rifutet për votim në seancën e 4 Prillit.

Ai jep garanci se të gjitha grupimet e opozitës do të japin votat për këtë dokument.

“Besoj unë do ta votojnë që të gjithë sepse nuk kanë ku të shkojnë pa e votuar”, u shpreh ai.

Tv Klan