Kryeministri: Plan i ri për administrimin dhe pastrimin e plazheve. Rinis operacioni “Bregdeti ynë”

Pastrimi i vijës bregdetare është një synimet kryesore të mandatit të tretë të qeverisë Rama, i cili bën me dije se do të hartohet një ligj i posaçëm në parlament. Kreu i qeverisë nëpërmjet një postimi në Facebook njofton se shumë shpejt do të hartohet ligji i Vijës Bregdetare, së bashku me planin e ri të administrimit të plazheve e të pastërtisë së zonave turistike.

Kjo vjen në të njëjtën kohë kur rinis operacioni “Bregdeti ynë”, i cili ishte ndërprerë për shkak të sezonit turistik.

Aksioni në terren u ndoq nga zëvendës ministri i Brendshëm Julian Hodaj i cili u shpreh se askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike dhe personat përgjegjës do përballen me ligjin.

Të mos i gënjejë mendja që mund të zaptojë një metër katror të territorit publik. Territori publik, sidomos bregdeti, është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe do të shfrytëzohet si i tillë. Askush nuk do të tolerohet dhe lejohet të abuzojë pa leje me këtë territor. Nuk do të tolerohet askush që ndërton pa leje dhe asnjë zyrtar që mbyll sytë përpara paligjshmërisë”.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti ynë” që nisi në muajin Qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Klan News