“Masat kanë dhënë efekt, mund të kishim 100 viktima”

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka përmendur një afat të përafërt se kur mund të nisë rruga e rikthimit në jetën e përditshme për qytetarët, pas masave shtrënguese për parandalimin e pandemisë së koronavirusit. Kreu i qeverisë tha se nëse shifrat do të jenë premtuese do të ketë disa lëshime që javën e ardhshme, ndërsa mesi i Prillit do të tregojë situatën e vërtetë me shtrirjen e virusit. Kreu i qeverisë thotë se masat kufizuese kanë dhënë efekt pasi projeksionet ishin shumë më negative.

Rama u ndal gjatë te plani ekonomik. Pensionistët do të kenë pensionin së bashku me indeksimin, të papunët për shkak të mbylljes së kompanive mund të aplikojnë menjëherë, mjekët e vijës së parë të do të marrin deri në fund të pandemisë përveç pagës, edhe shpërblim 1 mijë euro, ndihma ekonomike do të jetë dyfish, edhe taksistët mund të aplikojnë për pagën e luftës. Ndërsa për ata që punojnë në të zezë ka një tjetër skemë.

Propozimet e opozitës për dhënie lekësh në dorë Rama i quan jorealiste. Rama thotë se po studiohet nëse do të zgjerohet garancia sovrane prej 100 milionë dollarësh në funksion të biznesit dhe se po punohet edhe për të siguruar financime nga jashtë, por për këto do të pritet 15 Prilli.

Tv Klan