“Fondi për rindërtimin nuk prek buxhetin”

Seanca e Kuvendit nisi me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit. Kryeministri Rama premtoi se qeveria do të ndërtojë 5 lagje të reja në Durrës, Laç e Tiranë, ku do të strehohen  banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Do ndërtojmë një lagje të re në Durrës, në Laç dhe tre në Tiranë. Dy lagje të rëndësishme, një te 5 Maji, një në kombinat dhe një të tretë më të vogël në ish-Uzinën Autotraktor. Me Laçin do fillojmë menjëherë. Me lagjen 5 Maji ka filluar puna, me Kombinatin po ashtu, së shpejti nisim me Autotraktorin”.

Gjatë fjalës në Parlament, Kryeministri Rama deklaroi se fondi për rindërtimin e zonave të prekura, është zë i veçantë në buxhet, dhe nuk prek sektorët e tjerë.

“Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë, prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore, dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme. Por e gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar. Nuk do ta prekim buxhetin, ekonominë në funksion të rindërtimit, por e kundërta rindërtimi në funksion të ekonomisë. Nuk do marrim nga një anë nga populli t’ja japim anës tjetër”.

Më herët gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri theksoi se propozimi i opozitës për të ndërprerë pagesat e parashikuara për koncesionet, është i papranueshëm.

Kryeministri kërkoi të shemben sa më shpejt të gjitha ndërtesat që janë klasifikuar si të rrezikshme dhe ju kthen përgjigje të gjithë atyre që kërkojnë që të gjenden dhe penalizohen përgjegjësit për cilësinë e dobët të ndërtimeve.

Tv Klan