Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të diel gjatë një fjalimi përballë të rinjve në Tiranë se sfida e Partisë Socialiste është që të bashkojë njerëzit kundër atyre që duan t’i mbajnë të përçarë.

“Për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët. Për mua dhe për të gjithë ne, sfida e madhe është që bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm. Sfida jonë e madhe është jo vetëm kundër të gjithëve, siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë. Vetëm kundër atyre që janë bashkë për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq e 8 vjet më parë, ndërkohë që nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart kjo ka ndodhur dhe do ndodhë vetëm sepse ne jo nuk jemi vetëm, por jemi të bashkuar me ata që pavarësisht bindjes politike kanë një besim të brendshëm që jeta e tyre mund të bëhet më e mirë këtu duke punuar, duke punuar, dhe duke mos pritur që jeta mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë me receta çudibërëse”.

Kreu i qeverisë kishte marrë dy atlete nga një biznes fason dhe ironizoi opozitën. Rama u shpreh se me anë të planit të veprimit synohet që të nxiten bizneset shqiptare që të shesin produktet e tyre në Europë.

“Ajo që unë dua është që këtë dekadë ku ne kemi hyrë dhe me planin tonë të veprimit të nxisim dhe të arrijmë që gjithë struktura jonë, gjithë rrjeti ynë i fabrikave që prodhojnë me material porositësi të kalojë në një nivel tjetër dhe ato gra duararta dhe sipërmarrës kurajozë që krijojnë kaq shumë punësim të fillojnë të hyjnë në tregjet e huaja me Made in Albania, jo më me markat e stërnjohura, por me markat shqiptare. Me markat shqiptare që me këtë dijeni të fituar, me këtë eksperiencë të fituar, shqiptarët pa diskutim mund t’i krijojnë. Jo për të arritur në majat e botës, por për të arritur t’ju shesin produktet e tyre atyre që kanë më pak nëpër Europë dhe botë si dhe për t’ju ofruar të rinjve këtu në Shqipëri, produkte të kësaj cilësie, por made i Albania”, tha Rama./tvklan.al