Në kongresin elektoral të Partisë Socialiste, Edi Rama tha se është gati ta çojë vendin në zgjedhje parlamentare të parakohshme siç kërkon opozita brenda vjeshtës. Por ka një kusht.

“Nëse në 30 Qershor fitoni një bashki më shumë se ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që në vjeshtë”.

Pushtet në tavolinë nuk ka, ndërsa kushti i tij përmban edhe realizimin e reformës zgjedhore, ku të vendosen sanksione te forca në ligj për shitblerjen e votës.

“Por një ftesë e kam ende për ju. Jeni ju që i keni rrokanisur kokën shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore, dhe që keni mbajtur peng Shqipërinë për votimin elektronik, hajdeni ulemi, ta miratojmë së bashku atë reformë, të biem dakord, t’i eksperimentojmë në disa zona që në 30 Qershor votimin dhe numërimin elektronik. Jemi gati të votojmë në Kuvend çdo masë që mund të propozojë doktoresha e shkencave, znj.Monika Kryemadhi, pastaj e kalojmë vetë në Kuvend me deputetët e rinj”.

Por pavaresisht ftesës, Edi Rama rreshtoi një sërë akuzash për Lulzim Bashën, e nuk i kurseu as etiketimet fyese personale.

“Keni nisur avazin, nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër me këtë qeveri, po punë e madhe fort. E bëtë 2 vjet më parë, si sot atje, e falë nesh nuk dolët fishek nga zgjedhjet, siç e meritonit, se morët gjysmën e qeverisë me kushtin që të pranonit rezultatin e të mos e shani vendin në gjuhë të huaj. I humbët zgjedhjet, me qeverinë tuaj i humbët zgjedhjet dhe prapë e hëngrët llafin si e keni zakon, e iu kthyet kontestimit të rezultatit. Tani ka ardhur koha ta mësoni njëherë e mirë, pushteti nuk është qofte te daja, ky vend nuk është plaçkë për ju, sistemi demokratik nuk është cirk për “Arushën Lul” që bërtet për karamelen e radhës”.

Me ironi iu përgjigj edhe deklaratave të Presidentit të Republikës, i cili tha se ishte gati të vetëvritej në emër të demokracisë, për të ndaluar një juntë ushtarake, si Presidenti kilian Salvador Allende.

“LSI sot nuk përfaqëson askënd por po ta besojnë Monikën, LSI nuk përfaqëson më as Ilir Metën. Meta ndihet kaq i papërfaqësuar saqë i duket sikur një juntë ushtarake do sulmojë pallatin presidenacial. Zoti President, e di që më dëgjon, rri i qetë, jemi dhe do të mbetemi gjithmonë vendi i NATO-s. Të garantoj që sa të kemi Pandin ky vend nuk del nga NATO. Në fund të ditës, fundi politik i Lulit e Monikës nuk duhet të jetë problem i yti dhe i yni. Zoti President rri i qetë dhe mos i ço më nëpër mend ato çudira”.

Rama thotë se deri tani është përpjekur të jetë i tërhequr dhe mos t’i japë opozitës atë që i takon, por nga sot i premton mbështetësve të tij se do të nisë një ofensive frontale.

“Sot nis pa dorashka beteja jonë për 30 Qershorin e socialistëve. Sot mbaron ecja jonë në majë të gishtave dhe nis një ofensivë frontale. Kohët e fundit ne kemi kafshuar shumë shpesh gjuhën. I kemi parë kur kanë sulmuar parlamentin duke e gjymtuar fizikisht me aktin e tradhëtisë ndaj zgjedhëse. I kemi parë kur kanë sulmuar qeverinë duke eksportuar nëpër botë shfaqet e turpshme të dhunës së vulgut. I kemi parë kur kanë sulmuar Policinë e Shtetit, kur kanë sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kaluar reformën. Nuk ua kemi kthyer sy për sy dhe as dhëmbë për dhëmbë. Kemi duruar pafund. U kemi ofruar sa kemi mundur bashkëpunim për reformën zgjedhore dhe jo vetëm. U kemi duruar baltën, vezët dhe bojën e dëshpërimit të tyre mbi fytyrat tona. Por e gjitha ka qenë e kotë. Në vend që të na sfidonin në fushën e demokracisë, kanë zgjedhur të na gjuajnë me gurë. Nëse ata s’e kanë për gjë t’i tradhëtojnë zgjedhësit e tyre, ne nuk kemi mandat për të lëshuar nga dora por vetëm kontratë për të zbatuar dorë për dore me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”.

Dhe ofensiva frontale për Ramën do të thotë fushata për zgjedhjet lokale ku është i bindur se do të fitojë dhe bashkitë bastione të opozitës.

Tv Klan