Mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte me “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama ka sfiduar gazetarin Blendi Fevziun, i cili solli raste kur kompani të mëdha kanë larguar punonjës nga puna sepse nuk duan të marrin kredi, duke i thënë se pas 15 ditësh të bëjnë bilanc sa prej tyre kanë marrë kredi.

Blendi Fevziu:A ka diskriminim për biznesin e vogël, për të vetëpunësuarit po u shtyni kreditë, kurse për biznesin e madh po  u thoni merrni kredi.

Edi Rama:Ata që dalin dhe bëjnë propozime universale tregojnë se nuk kuptojnë asgjë nga kjo që po ndodh. Do them diçka që tani është shumë aktuale… Lufta është shah, nuk është as bixhoz ku ti të luash bllofin, sepse mund të biesh në një hon të zi, nuk është as poezi… është shah! Që do të thotë luan ti, luan dhe kundërshtari që është armiku i padukshëm. Duhet të shohim vijueshmërinë e luftës dhe hap pas hapi të ndihmojmë duke filluar nga poshtë lart. Këtu kemi dhe përgjigje për kompanitë e mëdha. Kompanitë e mëdha kanë marrë garanci sovrane dhe të hënën fillon lëvrimi. Unë po ju them juve, jo juve personalisht…

Blendi Fevziu: Unë mund t’ju tregoj juve me dhjetëra mesazhe punonjësish të kompanive të mëdha që kanë marrë një email, një sms, në mënyrë cinike, ju kanë thënë shkëputet marrëdhënia financiare… garancia sovrane nuk i ndihmon këta njerëz të marrin rrogën e këtij 15-ditëshi.

Edi Rama:E para kam dëgjuar dhe unë për këtë garancinë sovrane, dhe që nuk do ta marrë njeri etj, etj,… Unë ju sfidoj juve që mbas 10 ditësh, ju sfidoj jo ju, por jam i gatshëm që pas 10 -15 ditësh kamera juaj të vij prapë këtu dhe të shikojmë a do kenë marrë apo jo kompanitë kreditë për të mbajtur punëtorët në punë. Por kjo nuk dot thotë që kompanitë do t’i mbajnë të gjithë, por një pjesë e punëtorëve do mbahen nga kompanitë dhe për pjesën tjetër do kujdesemi ne, por këto janë me faza. /tvklan.al