Kryeministri Edi Rama shpërndau gjatë ditës së sotme një video të cilën ia kishte nisur një mik i tij nga Itali dhe ku sipas tij tregohej reagimi i policisë spanjolle ndaj atyre që thyejnë masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Por pak kohë pas publikimit të kësaj videoje rezultoi që pamjet në fakt nuk ishin regjistruar në Spanjë, por në Algjeri gjatë një proteste të opozitës atje.

Pikërisht për këto pamje, për të cilat reagoi edhe Partia Demokratike, duke e akuzuar kryeministrin si burim kryesor paniku, kreu i qeverisë reagoi sërish. Rama kërkoi ndjesë për këtë “pasaktësi të paqëllimshme”, siç e quajti vetë ai.

“Videon e postuar diku më parë, ku shkruhet se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”!  E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit dhe tani mora vesh që qenkan pamje nga Algjeria! Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”” .

Megjithatë, Kryeministri tha se vendi i ngjarjes nuk ka rëndësi dhe ritheksoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që rrezikojnë jetën e të tjerëve.

“Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% natyrisht!”/tvklan.al