Me propozimi të Ministrit të Brendshëm dhe firmë të Kryeministrit Edi Rama, Zef Hila, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës është shkarkuar nga detyra për shkak të përfshirjes në djegien e KZAZ-së Numër 6 në Bushat. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj shpjegoi edhe arsyet, në një konferencë për shtyp.

“Për arsye të një serie shkeljesh të rënda të detyrës dhe të ligjit, të cilat kulmuan mbrëmë me sulmin ndaj KZAZ nr. 6, të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të Ministrit të Brendshëm“. 

Kryeministri tha se Hila do të ndiqet edhe penalisht, ndërsa paralajmëroi se fatin e tij do ta kenë të gjithë kryebashkiakët që përfshihen në akte të tilla.

“Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë.

Por Partia Demokratike e cilëson si akt të pavlefshëm dhe antikushtetues shkarkimin e Hilës, që sipas Gazmend Bardhit është dhe do të jetë në krye të detyrës. Qeveria dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për skenare dhune. Qeveria thotë se është opozita që po i ndërmerr sulmet ndaj KZAZ-ve, ndërkohë që opozita u distancua nga djegia e KZAZ-së së Bushatit.

Tv Klan