Kryeministri Edi Rama përshëndeti operacionin e autoriteteve në Shkodër, ku 11 persona përfunduan në pranga për fajde e gjobëvënie. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se falë punës së policisë, që po bëhet çdo ditë e më efikase, sot Shkodra është më e sigurt se asnjëherë.

“Përshëndetje dhe përgëzime të gjithë forcave policore që u angazhuan në superoperacionin e Shkodrës, duke çmontuar dhe çuar prapa hekurave një grup kriminal keqbërësish. Sot Shkodra është më e qetë e më e sigurtë se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se Policia e Shtetit i dha një tjetër goditje krimit të organizuar me anë të operacionit të koduar “Maranaj”.

““

Maranaj”, për një Shkodër e Shqipëri të lirë nga krimi. Policia e Shtetit dha sot një tjetër goditje madhore kundër krimit të organizuar dhe financave të tij. Ky sukses motivon më tej Policinë dhe qytetarët për të vijuar së bashku përpjekjen për Shqipërinë europiane

“, shkroi Lleshaj në një postim në rrjetet sociale.

12 persona u arrestuan mëngjesin e së enjtes ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim për gjobëvënie dhe dhënie parash me fajde në qytetin e Shkodrës.

Prokuroria e Shkodrës tha se këta persona jepnin hua shuma parash për interesa shumë të larta që varionin nga 3% deri në 20% në javë. Kur borxhi nuk shlyhej, ata u merrnin klientëve prona të luajtshme dhe të paluajtshme.

Në mesin e të arrestuarve është një ish-kancelar i Gjykatës së Shkodrës, ndërsa dy oficerë policie dhe një notere u pezulluan nga detyra. Në operacionin në fjalë u angazhuan 160 oficerë policie.

/tvklan.al