Sot në orën 11:00, Këshilli Politik ka rinisur punën për të diskutuar çështjen e ndryshimeve kushtetuese për koalicionet parazgjedhore dhe hapjen e listave. Në tryezën e kësaj të hëne u ul edhe kryeministri Edi Rama si dhe numri 2 i PD-së, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.  

Siç duket nga pamjet, kryeministri Rama ishte i pajisur me maskë, ndërkohë që nuk u prononcua për mediat. Edhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës parlamentare dhe jashtë parlamentare nuk folën për mediat gjatë hyrjes në Pallatin e Kongreseve.

I pranishëm në këtë takim në radhët e opozitës jashtëparlamentare është edhe deputeti Myslim Murrizi, i cili ka propozuar ndryshimet kushtetuese.

Ky takim u hodh si ide nga Presidenti Ilir Meta dhe u mirëprit nga të gjitha palët. I pari që konfirmoi pjesëmarrjen ishte kryeministri Edi Rama. Ndërkohë Lulzim Basha refuzoi duke thënë se në takim do të shkonte sekretari Bardhi.

Mazhoranca insiston në miratimin e ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Sipas Ramës, miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk do të prekë marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur mesa palëve për Reformën Zgjedhore.

Por ndryshe mendon opozita. Sipas selisë blu, miratimi i ndryshimeve kushtetuese çon në prishjen e marrëveshjes. Ata kërkojnë miratimin e dakordësive të 5 Qershorit pa asnjë ndryshim.

Palët arritën të bien dakord më 5 Qershor për ligjin e ri elektoral pas javësh të tëra negociata ku morën pjesë edhe diplomatët të huaj. Ata ranë dakord për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, identifikimin biometrik, financimin e partive, periudhën zgjedhore dhe një sërë çështjesh të tjera./tvklan.al