Kryeministri Edi Rama shpërndau personalisht 437 tituj pronësie për banorët e Himarës.

Foli gjatë për kalvarin e marrjes së certifikatave për pronat e trashëguara, që jo pak herë sipas tij ky proces është shfrytëzuar për interesa politikë.

Edi Rama: Ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore për të çuar përpara interesat e tyre shumë të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët.

Kryeministri garantoi himariotët se nuk ekziston asnjë qëllim për t’ju marrë pronat banorëve të kësaj zone.

Edi Rama: Ideja që nga Tirana ka një plan për t’i zhveshur himarjotët nga pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve është një poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real. Le të dalë njëri dhe të thotë mua ma morrën dhe unë nuk dija gjë fare.

Madje sipas tij nuk qëndrojnë as pretendimet se oligarkët kanë marrë pronë pa miratimin e pronarëve.

Edi Rama: Kush thotë se iu janë marrë pronat himarjotëve, trashëgimtarëve dhe ju kanë kaluar dikujt tjetër thotë një gënjeshtër shumë të madhe. Pronat këtu shiten nga banorët, nga trashëgimtarët që mund të jenë këtu, mund të jenë jashtë dhe shiten me çmime që nganjëherë janë dyfishi apo trefishi i çmimeve në Korfuz.

Për këtë punë voluminoze Edi Rama i dha merita edhe prefektit të Vlorës, Vangjel Tavos, një nga emrat më të diskutuar për të qenë në krye të bashkisë së Himarës.

Edi Rama: Janë bërë me shtytjen për pjesën më të madhe falë prefektit që ja kam kërkuar që ditën e parë që i kam thënë do jesh prefekti i Vlorës dhe ke prioritetin numër një dhënien e certifikatave të shtëpive të trashëguara të të gjithë himarjotëve.

Madje për të gjetur zgjidhje edhe për procesin e aplikimit, Edi Rama i orientoi drejt tij.

Edi Rama: Nëse ti do pronë shko te Vangjel Tavo, nëse do sherr shko tek Vangjel Dule. Shko atje, por mos na futni në këto tani.

Kreu i qeverisë garantoi se brenda vitit, do të dorëzohen 4000 certifikata pronësie.

Klan News