Publikon deklaratën e ambasadorit shqiptar në OKB

Për t’iu përgjigjur akuzave që i bëhen mazhorancës pas rrëzimit të kërkesës së opozitës për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën në parlamentin shqiptar, Kryeministri Edi Rama ka publikuar një deklaratë të ambasadorit tonë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara të vetëm pak ditëve më parë.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike. Nxitja e ndasive midis grupeve etnike në Bosnje për lojëra politike mban firmën e Dodik dhe mohimi i përsëritur publik i gjenocidit nga ana e tij është thelbësor në përpjekjet e tij. T’i referohesh gjenocidit si “një mit i sajuar” apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë. Nënshtrimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është thjesht dhe vetëm një provokim. Çdo hap i gabuar në Bosnje-Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e më gjerë.”

Rama thotë se kjo video është një përgjigje për ata që besojnë deklaratat e Berishës edhe pse nuk ia përmend emrin. 

“Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtanbudallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë”.

Pas vendimit të mazhorancës në Kuvend, Rama nënvizoi se parlamenti nuk ka rrezuar asnjë rezolute, por thjesht nuk ka pranuar kërkesën për të futur një dokument në procedurën 3-javore parlamentare.

Tv Klan