Bizneset që janë në listën e lejuar për të punuar nga dita e nesërme (20 Prill 2020), mund të marrin vërtetimin në portalin e-Albania. Kryeministri Edi Rama thotë se tashmë këto vërtetime janë gati në portalin online të qeverisë.

“Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset e miratuara për hapje nga Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 Prill). Ky vërtetim merret vetëm një herë! Kujdes! Ky vërtetim duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli”.

Në një postim në Facebook, Kryeministri Rama shpjegon edhe procedurën se si mund të merret ky vërtetim në portalin e-Albania.

“Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në e-Albania sipas kategorisë përkatëse. Nëse nuk keni një llogari ekzistuese të biznesit tuaj në e-albania, lutemi të kryeni hapjen e saj duke u identifikuar si Administrator me kredencialet tuaja.
Klikoni butonin Regjistro një biznes. Plotësoni të dhënat që ju kërkohen. Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”. Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.

Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania. Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura. Ruani veten, punonjësit Tuaj dhe konsumatorin!

Përdorni e-Albania. Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale”. /tvklan.al