“Nuk e kërkuam ne, por ODIHR”

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga çështjet ku ndahen opozita dhe mazhoranca në lidhje me Reformën Zgjedhore. Partia Socialiste kërkon depolitizim të plotë të saj.

Kryeministri Edi Rama, gjatë emisionit ‘Opinion’ këtë të enjte në Tv Klan tha se këtë reformë nuk e ka kërkuar qeveria, por është kërkesë e ndërkombëtarëve.

“Kjo nuk është diçka që lidhet me ne dhe çfarë na kushton ne. Kjo lidhet me një gangrenë 30-vjeçare të nënvizuar në çdo raport të ODIHR. Politizimi i tejskajshëm i komisioneve që kërkon depolitizim. Nuk e kemi kërkuar ne këtë reformë. Nuk besoj që në Shqipëri të paktën për një periudhë të gjatë kohore zgjedhjet të jenë prekur në komisione. Ne kemi përpara, një detyrë të qartë, të depolitizojmë administratën dhe kjo është kërkesë e ODIHR. Ajo që na kërkohet, unë them si klasë politike që jemi për veten tonë, një ligj zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Unë nuk jam ai që e kërkoi këtë. Nëse nuk është bërë 30 vjet, kjo nuk do të thotë që nuk do të bëhet 30 vjet të tjera. Kjo është kërkesë eksplicite e ODIHR-it. Ajo që na është kërkuar është marrëveshja mbi bazën e rekomandimeve me elementin thelbësor depolitizimin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi edhe se si do të funksionojë përzgjedhja e komisionerëve nëse bëhet depolitizim i administratës. Pjesa kryesore e  komisioneve të votimit, sipas Ramës do të jetë e përbërë nga nëpunës civil.

Sipas tij, nëse një nëpunës i administratës shkel ligjet zgjedhore rrezikon burgun, humbjen e vendit të punës dhe humbet të drejtën për të punuar gjithë jetën në Shqipëri.

“Nuk kemi të bëjmë me një kohë, kur administrata ishte një falangë e madhe politike, por jemi shumë vite më pas. Është e thjesht llogaria, po të bëhet 7*7=42 nuk del, po të bëhet me aritmetikë del. Shqipëria ka nevojë për 16 500 komisionerë nëse janë me tre persona. Administrata publike shqiptare, ajo që është në statusin e nëpunësit civil dhe mbrohet me këtë status ka afro 16 000 persona. Ndërkohë, pavarësisht se këtu mund të përfshihen mësuesit, a mund të përfshihen të tjerë, është hapur hapësira që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që duan të regjistrohen vullnetarisht për të qenë komisionerë me kushtin që të kenë një diplomë dhe të mos kenë probleme me ligjin. Partitë mund t’i nxisin ata që kanë bërë komisionerin më parë që të regjistrohen. Kështu krijohet një rezervuar njerëzish që mund të shkojë 100 mijë persona. Në këtë rezevuar pjesa e administratës është e rëndësishme se do ta ketë me detyrim nëse i bie shorti. Do të bëhet me short, jo me emërim. Shorti do ta hedhë KQZ-ja në mënyrë transparente. Punonjësit e administratës do ta ketë me detyrim. Vullnetarin nuk e detyron, ditën e shtunë të thotë që jam sëmurë. Nëse  më gjen në Shqipëri një nëpunës civil që është i gatshëm të shkojë në komision, të rrezikojë, humbet vendin e punës, humbet të drejtën për të punuar gjithë jetën në Shqipëri. Më trego se në Shqipëri nuk ka”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, opozita ka frikë nga zgjedhjet dhe jo nga administrata, ndërkohë që shtoi se partitë politikë mund të kenë në ditën e votimeve përfaqësuesit e tyre politik që do të jenë vetëm vëzhgues të procesit.

Kreu i qeverisë deklaroi se nga 9 mijë punonjës të administratës nëpër ministri, 67% e tyre ka hyrë në punë që në kohën e Partisë Demokratike në qeverisje ose më përpara dhe vetëm 33% pas vitit 2013, kur PS ka ardhur në pushtet./tvklan.al