Në një intervistë për Deutsche Welle, Kryeministri Edi Rama tha nga Gjermania se shpresonte që Konferenca e parë Ndërqeveritare për negociatat të ndodhë në fund të këtij viti, por nëse jo, vitin e ardhshëm. “Kjo është një çështje që ka të bëjë me dinamikat e Brendshme të BE”, u shpreh Rama

“Këtë do ta shohim në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli Europian. Por ajo që është e padyshimtë është që ne po ecim në mënyrë intensive në hedhjen e hapave të mëtejshëm, pavarësisht se çfarë do të vendosë Këshilli Europian, që ne dimë që është një vendimmarrje që varet shumë me tepër nga dinamikat e brendshme, sesa nga çfarë bëjmë ne. Ne do të vazhdojmë me vullnet dhe durim dhe shpresoj që Konferenca të ndodhë qysh në fund të këtij viti. Por nëse nuk ndodh në fund të këtij viti, do të ndodhë me siguri vitin e ardhshëm, dhe kjo është një çështje që e përsëris që ka të bëjë me dinamikat e brendshme të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh ndër të tjera se nuk ndodhej në Berlin për të takuar kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ai ka theksuar se me Merkelin ka kontakte të vazhdueshme dhe nuk kanë asnjë problem, ndryshe nga çfarë u fol në mediat shqiptare.

“Nuk kam ardhur në këtë udhëtim për të takuar Kancelaren Merkel. Kam ardhur për të shkuar në forumin e politik-bërjes dhe ndalesa e mbrëmshme në Berlin ka qenë thjesht dhe vetëm për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me mua opinione dhe që kanë një interes të veçantë për Shqipërinë. Me Kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s’ka asnjë problem”, tha Rama.

Sa i përket ligjit anti-shpifje Rama tha se, “do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë, si vatrën më të nxehtë të shpifjeve në Europë, ne nuk do ta lëmë”./tvklan.al