Kryeministri: Kosova dhe Serbia të vijojnë dialogun, Shengeni rajonal forcon bashkëpunimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama thotë se për sa kohë Ballkani Perëndimor nuk bëhet plotësisht pjesë e Bashkimit Europian, e vetmja rrugë për të forcuar bashkëpunimin në këtë rajon është “Shengeni Rajonal”. Në një intevistë për “Euronews Serbia”, kreu i qeverisë thekson se përmes këtij projekti do të hiqen barrierat tarifore si dhe do të krijohen lehtësime për bashkëpunim ekonomik mes shteteve të rajonit.

Unë kam një mosmarrëveshje me Presidentin tuaj dhe të tjerët që përdorin termin “Mini Schengen”, nuk më pëlqen ai “mini”. Kjo është një gjë e madhe për ne dhe unë preferoj fjalën “Shengen rajonal”, që do të thotë një hapësirë ​​në të cilën ne të gjithë mund të zbatojmë katër liritë evropiane dhe ndërkohë që të gjithë, individualisht, kemi rrugën tonë në drejtim të integrimit evropian. Ne nuk duhet të lejojmë që ky potencial i pabesueshëm i këtij rajoni të mos realizohet, sepse nëse hapim hapësira, nëse shembim muret midis nesh, në formën e barrierave jo-tarifore, në formën e pengesave të ndryshme të tjera dhe krijojmë hapësirë ​​për lëvizje dhe bashkëpunim midis njerëzve, natyrisht të gjithë do të kenë një fitim dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”.

Kryeminstri foli dhe për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se tashmë është Bashkimi Europian ai që do të vendosë për të vijuar më tej këtë proces.

Unë nuk fajësoj Bashkimin Evropian. Ajo është shtëpia e tyre. U takon atyre të vendosin se kur janë të gatshëm t’u hapin derën të tjerëve. Ne ndërkohë, megjithatë, ne nuk mund të qëndrojmë dhe të presim që dera të hapet. Ne duhet të punojmë. Ne duhet të shohim se si t’i përdorim të gjitha mundësitë, të gjitha ato që mund t’i përdorim në një mënyrë më të lirë. Ballkani Perëndimor është i yni dhe na takon neve ta trajtojmë atë dhe Bashkimi Evropian nuk mund të na tregojë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë”.

I pyetur për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Rama tha për median serbe se një ide e tillë nuk ka ekzistuar kurrë, teksa e quajti marrëzi një projekt të tillë.

Para së gjithash, duhet të dini një gjë. Shqipëria e Madhe nuk ka ekzistuar kurrë në gjuhën tonë dhe nuk është një trillim që kam gjetur në librat tanë të historisë ose në disa mendime dhe trashëgimi të mendjeve tona të mëdha. Shqipëria e Madhe është një term që ka origjinën jashtë Shqipërisë dhe është inkurajuar nga ata që dëshironin të krijonin një përbindësh të rrezikshëm, i cili natyrisht do të ishte shqiptar i rrezikshëm. Shqipëria e Madhe është marrëzi më vete”.

Rama tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për të dy vendet, por dhe për të gjithë rajonin për të pasur një perspektivë të qëndrueshme  drejt BE.

Klan News