Opozita, humbëse e keqe e 5 zgjedhjeve radhazi

Në një intervistë për Finacial Times, Kryeministri Rama ka folur jo vetëm për akuzat e kundërshtarëve në zgjedhje por dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Vendin që ai drejton, Kryeministri e krahason me një adoleshente dhe demokracinë e  Shqipërisë pikërisht me etapat që kalon adoleshenca me probleme por që kalon shpejt.

“Shqipëria është një demokraci adoleshente, dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por po rritet dhe do të arrijë pjekurinë për një kohë jo të gjatë”.

Nuk komenton fitoren e tij por humbjen e demokratëve dhe akuzat e tyre për manipulime të zgjedhjeve.

“Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës ankohen për mungesë lirie. Opozita ka humbur betejën e saj të pestë me radhë, tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy locale, sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh”.

Për Bashkimin Europian thotë se vuan nga sëmundja që e bën të harrojë arsyen pse është krijuar dhe ekziston, e kjo në raport me politikat e zgjerimit.

“Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga një amnezi për atë se kush janë, cili është qëllimi i ekzistencës së tyre. Ata janë forca më e madhe për mirë që njerëzimi ka krijuar dhe shpresoj se do të shërohen shpejt sepse pa to bota është një vend shumë më i keq. Kjo tregon një dobësi brenda, mungesë vizioni koheziv në lidhje me zgjerimin dhe mungesë të një procesi të qëndrueshëm për ta zbatuar atë”.

Në shkrim bëhet një përshkrim i gjithë situatës para dhe paszgjedhore për vendin tonë ku përmendet dhe vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan e që sipas reporteres erdhi pas një situate që u ndez nga deklaratat e kreut të shtetit për kapjen e shtetit nga kryesocialisti.

Tv Klan