Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë prezantimit të programit për shërbimet e qytetarëve dhe biznesit, se Shqipëria është linder në qeverisjen dixhitale në rajon.

Në fjalën e tij Rama theksoi se sot janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën dixhitale për shërbimet.

“50 mijë të regjistruar ishin shqiptarët në portalin që supozohej se u ofronte shërbime. Me revolucionin digjital, sot që flasim janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën, përdorin shërbimet.  6 ishin regjistrat elektronikë që presupozohej se duhet të ndërvepronin  në platformën qeveritare.  Sot janë 55 regjistra elektronikë që ndërveprojnë në kohë reale.  Deri në 2013 numri total i transaksioneve, pra i ndërveprimeve të kryera në platformë ishin 680 mijë. Sot, shifra e fundit e 2020 është 145 milionë.  145 milionë që mund të shtohen dhe do të shtohen vijimësisht sa më shumë të rritet pjesëmarrja dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën këtu, vonesën atje, sportelistin këtu, sportelistin atje, të përdorin platformën, do të përdorin iphonin, do të përdorin kompjuterin më të afërt.  Është shumë e thjeshtë dhe më e rëndësishme akoma për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon duhej dhe duhet akoma një numër i konsiderueshëm dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Ndonjëherë shkojnë deri në 20, mesatarisht janë 7-8. Çfarë ishin këto më parë? Ishin 20 vajtje-ardhje në 20 pika të ndryshme, zyrash të ndryshme për të mbledhur dosjen. Për çdonjërin nga ju, dosjet sot i mbledh shteti për ju. 

Sot, në ato 20 pika punonjësit e shtetit nuk rrinë të presin tufat si cjapi te kasapi, por mbledhin letrat dhe përmes rrugës digjitale i çojnë në pikën e vetme ku ju shkoni për të marrë shërbimin pasi keni bërë aplikimin. Çfarë është kjo?  Ky është Revolucion.  Ky është ai revolucioni i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtet-qytetar.  Ky është ai revolucioni që nuk bëhej dot deri në fund me të tjerë në prehër. Ky është ai revolucioni që ju i dhatë shtysën e fortë dhe vendimtare në 2017, ku na dhatë mundësinë që të jemi ballë përballë jush pa të tjerë në prehër, e  t’ju shohim në sy e të na shihni në sy, të marrim përgjegjësitë tona, të marrim patjetër dhe barrën për gabimet tona, por ama t’iu përgjigjemi me të gjitha me fuqitë tona”, deklaroi kryeministri.

Veç të tjerash Rama tha se ky është revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë vendin në mandatin e tretë, në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit.

“Ky është ai revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë në mandatin e tretë këtë vend në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit, jo për t’i marrë atij nga xhepi, por për të marrë nga xhepi i tij, nga iphoni i tij, smartphoni i tij kërkesën dhe për ta kthyer kërkesën në një dokument të plotësuar, në fakt në smartphonin e tij për qytetarin  dhe për biznesin, për të voglin dhe për të madhin, për të riun dhe për të moshuarin, për studentin dhe për fermerin, për çdonjërin në çdo pikë kontakti me shtetin. Shqipëria sot, jo se e them unë, jo se e themi ne, por në bazë të raporteve të organizatave më prestigjoze në bote që nga OKB, OECD, Departamenti Amerikan i Shtetit së fundmi dhe BE, është lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë, ndërkohë që ishte bishti i fundit i kavallit deri në 7 vite më parë”, tha Rama./tvklan.al