Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të premte se Shqipëria ka mundësi që të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, agroturizëm dhe eksportin e produkteve bujqësore.

Kreu i qeverisë tha se me këto tre hallka të zinxhirit të zhvillimit, Shqipëria do të ketë mundësi të shkojë në një tjetër nivel. Ai i ktheu përgjigje akuzave se PS-ja nuk ka program.

Kreu i qeverisë tha se ka planin e veprimit, i cili shërben edhe në funksion të vizionit ‘Shqipëria 2030’.

“Nëse ke vizionin e duhur nëse ke karakterin, nëse ke punën, këmbënguljen dhe durimin, mund të dalësh dhe ngjitesh në maja të paimagjinueshme. Po thonë shpesh gjatë kësaj kohe që jemi në fushatë se ne s’paskemi program. Programi ynë është vizioni ynë, karakteri ynë, puna jonë, këmbëngulja jonë dhe është durimi ynë. Me vizion, me karakter, me punë këmbëngulje dhe durim do të vazhdojmë përpara duke zbatuar planin tonë të veprimit. Plani ynë i veprimit 2021-2025 është në funksion të vizionit Shqipëria 2030. Shqipëria është në kushtet ku mund të pretendojë të bëhet kampione e Ballkanit, në turizëm, agroturizëm dhe në eksporte bujqësore. Pa diskutim fare, kampione në Ballkan. Me këto tre hallka të zinxhirit të zhvillimit, Shqipëria do të ketë mundësi të shkojë në një nivel tjetër”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se sfida e qeverisë është që në katër vitet e ardhshme eksportet bujqësore shqiptare të shkojnë në 1 miliard dollarë. 

“Sfida ime, sfida jonë këtu dhe e gjithë skuadrës tonë është që eksportet bujqësore të cilat ne në total falë punës së këtyre njerëzve, falë mbështetjes që i kemi dhënë këtyre njerëzve, falë këmbënguljes së këtyre njerëzve, jo vetëm këtu por në të gjithë Shqipërinë, është rritur nga rreth 100 milionë në 400 milionë dollarë eksporte Shqipëria, të shkojë në mbi 1 miliardë në katër vitet e ardhshme me planit e veprimit 2021-2025. T’i çojmë eksportet mbi 1 miliardë. Kam bindejn se ne do tia dalim ti çojmë mbi 1 miliardë eksportet sepse ëktu nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz punëtor, këtu bëhet fjalë për një kategori njerëzish që janë në Berat, në Lushnje, në Divjakë, në Konispol, në Malsinë e Madhe, nëpër pika të ndryshme të vendit dhe janë sot një bagazh dijeje, eksperience”./tvklan.al