Në një takim me të rinjtë në Vlorë kryeministri Edi Rama foli edhe njëherë për rëndësinë që zgjedhjet e 11 Majit kanë për integrimin e Shqipërisë drejt BE.

Rama iu drejtua të rinjve duke thënë se ata duhet të jenë më të interesuar për rezultatin pasi bëhet fjalë për të ardhmen e tyre. Me pasaportën europiane çdo i ri mund të trokasë në derë dhe mund të punojë kudo.

“Më 11 Maj shqiptarët duhet të vendosin duan të hyjnë në BE tani apo do hedhin këto zaret në tavllën politike dhe dera të mbyllet dhe të mbetën edhe për kush e di sa vite të tjera jashtë BE. Nëse duan të hyjnë në BE nuk duhet të jenë domosdoshmërisht socialistët, as duhet të bëhen socialistë, larg qoftë. Por aty te 5 është investimi i votës është për Shqipërinë dhe për pasaportën. Nuk ndodh dot, kuptojeni këtë gjë që dikush tjetër apo të tjerë ta bëjnë të njëjtën vezë tani. Dhe sikur 6 muaj të futet në konfuzion ky muhabeti, iku mundësia. Nuk e dimë se çfarë ndodh me Rusinë,m SHBA, Kinën dhe në një moment të caktuar ata mund të thonë “lërini njëherë këta” se kemi ca halle të tjera më të mëdha siç e kanë thënë në të shkuarën. Është hapur dera dhe ne duhet të hyjmë  aty”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se shpatën drejtësisë ja ka dhënë Partia Socialiste sepse në qeveritë e kaluara ka qenë në duart e atyre që qeverisnin.

“Shpatën qe e ka në dorë drejtësia ka qenë tek zyra ime, se ka qenë mbretëri se komunizëm, shpata ka qenë aty dhe atë shpatë ne ja dhamë drejtësisë. Ne e dinim se duke dorëzuar shpatën kemi vënë në dispozicion dhe trupin, sepse ajo është për të ndëshkuar ata që abuzojnë me pushtetin. Atyre që thonë socialistët janë në burgje na marrin të keqen sepse ata që janë para drejtësisë numërohen sa gishtat e dorës, kurse në që luftojmë për drejtësinë mund të bëhemi edhe 1 milionë. Nëse futemi në BE të gjithë janë të barabartë para ligjit, sepse jemi në një familje ku si janë shumica prej jush janë të varuar nga prindërit”, tha Rama.

/tvklan.al