Gjatë prezantimit të paketës ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri Edi Rama është pyetur nga qytetarët live në Facebook për vilën e tij në Surrel.

Kreu i qeverisë ka dhënë disa statistika të shtëpive private në Shqipëri, teksa ka theksuar se ka deklaruar çdo faturë të vilës së tij.

Madje, ka sfiduar që të gjithë politikanët të deklarojnë shtëpitë e tyre në varësi të të ardhurave të tyre.

“Vila ime në Surrel? Cila vilë në Surrel? Ne kemi bërë një inventar së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale në funksion të një programi për të ndihmuar familjet që jetojnë në shtëpi që janë shëmbëlltyrë e mjerimit. Janë ato shtëpitë që bëjnë lajm. Në fakt inventari që kemi bërë në treg  se këto shtëpi në të gjithë territorin e Republikës janë 1600 e pak. Po sa janë vilat si puna e asaj të Surrelit që janë ndërtuar në Shqipëri? Dhe këtu kam parasysh shtëpitë me 2 kate, 3 kate, 4 kate që kanë qenë produkt i punës në pjesën më të madhe të tyre. Janë mbi gjysmë milioni.

Ajo vila ime në Surrel ka një formë që e ka të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët. Por në raport me tërësinë e banesave individuale është një banesë individuale e një familje shqiptare më shumë dhe kaq. Dhe për të gjithë ata që kanë hedhur pafund baltë lidhur me këtë, mund të them që shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë. Dhe do isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binin dakord që të bënin një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrenspondojnë të ardhurat me produktin”, është shprehur Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al