Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se shumë shpejt do të nisë vaksinimi masiv në Shqipëri. Kreu i qeverisë në një konferencë me fokus ekonominë, tha se do të arrihet që Shqipëria të ketë një kontratë për marrjen e një sasie të madhe dozash vaksine.

“Unë jam me mish dhe me shpirt i angazhuar së bashku me miqtë e mi. Edhe ne presim të hyjmë në fazën finale të vaksinimit, faza që e zmbraps përfundimisht këtë virus.

Me Pfizer siguruam kontratën jashtë radhe, në një kohë që shumë vende të rajonit nuk e kanë, ashtu do arrijmë brenda javës së dytë të marsit të vaksinojmë të gjitha bluzat e bardha dhe shumë shpejt nis vaksinimi masiv, është çështje kohe. Kohë e shkurtër, jo e gjatë. Jemi shumë afër, Më vjen keq që s’po e them fjalën e fundit, por me zor po pres”, u shpreh Rama

Rama tha se vaksinimi është arma e vetme për të shkëputur zinxhirin e infektimeve dhe se shumë shpejt Shqipëria do të jetë një vend pa Covid.

Rama sulmon programin e PD: Po ripredikojnë taksën e sheshtë që kërcënon më të dobëtit

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar edhe njëherë planin e opozitës për të rikthyer taksën e sheshtë 9%. Në një konferencë për mediat me fokus ekonominë, Rama tha se me qeverinë e tij 90% e bizneseve nuk paguajnë taksa, por shtoi se vetëm bizneset e mëdha paguajnë një taksë 15%.

Pala tjetër ripredikon taksën e sheshtë duke kërcënuar më të dobëtit. Duke na kthyer në kohën kur 100% e bizneseve paguanin tatim-fitim dhe TVSH. Ndërsa sot 90% e bizneseve paguajnë zero TVSH. Dhe vetëm 9% e bizneseve paguajnë 15% taksa”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej ka folur dhe për rrogën minimale duke thënë se do të rritet sërish nga viti në vit.

Çdo person që ka një xhiro vjetore deri në 114 mijë Euro është një subjekt pa taksa. E dyta është paga minimale të cilën e kemi vendosur në 30 mijë Lekë tanimë dhe kemi ambicie ta rrisim vit pas viti. Paga minimale 300 mijë Lekë nuk është pikëmbërritje, por është nisje”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë po ashtu foli dhe për dyfishimin e ndihmës ekonomike, duke thënë se synimi është që të qëndrojë në këtë masë dhe pas përfundimit të luftës me Covid.

Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë dyfish deri në fund të luftës me armikun e padukshëm dhe synojmë që ta mbajmë gjithmonë në këtë masë. Kush gjykon mandatin e dytë nuk duhet të harroj se kemi qenë e vetmja qeveri që ka përballuar dy goditje shumë të rënda, siç është tërmeti dhe pandemia”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama: Bizneset e mëdha që duan ulje taksash mos të votojnë për ne

Kryeministri Edi Rama u ka bërë sot thirrje bizneseve të mëdha dhe ka thënë se nuk do të ketë ulje taksash për ta për sa kohë që ai të jetë në qeveri.

Kreu i qeverisë tha se taksa e sheshtë është për të pasurit dhe godet ata që paguhen më pak. Sipas tij çdo biznes i madh që do ulje taksash mos të votojë për PS-në.

Taksa e sheshtë është për ata që fitojnë më shumë dhe goditje për ata që fitojnë më pak. Ndërsa taksimi i ndershëm, taksa progresive mbështet më shumë ju se ata.

Ne nuk do të rrisim taksën për biznesin e madh, por as nuk do ta ulim. Çdo biznes i madh që do ulje takse mos të votojnë për ne, pasi ne nuk do ta ulim taksën. Nuk do të kenë as atë taksën e fshehtë që e dinë ata se sa paguanin për ata që qeverisnin dhe xhandarët e tyre”, tha Rama.

Deklaratat e Ramës janë bërë gjatë një konference me fokus ekonominë, ku ishte bashkë me ministren e Financave,  Anila Denaj.

Lleshaj, Bushati dhe Xhafaj në lista? Rama: Askush nuk është i ndryshëm nga tjetri

Për Kryeministrin Edi Rama të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit janë të gjithë barabartë. Në një konferencë për mediat teksa u pyet nëse Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati dhe Sandër Lleshaj do të jenë në listë, tha se asnjë nuk është i ndryshëm nga tjetri.

Nuk është asnjëri i ndryshëm nga tjetri, të gjithë janë në trupën prej ku do të behet seleksionimi. Drejtuesit e qarqeve kanë përgjegjësinë të bëjnë të gjitha draftet dhe të propozojnë skuadrën e çdo qarku dhe pastaj këtë gjë do ta miratojë Kryesia e Partisë Socialiste.

Unë pres propozimet e drejtuesve të qarqeve, të cilët duhet të bëjnë me përgjegjësi të madhe në funksion të rezultatet skuadrat dhe pastaj në kryesi do të bëhet miratimi”, tha Rama.

Më tej Rama foli dhe për fushatën zgjedhore, duke thënë se të gjithë partitë të kenë rregulla të barabarta dhe të respektojnë kushtet e pandemisë./tvklan.al