Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se shumë shpejt në Shqipëri do të vijnë sasi të mëdha dozash vaksinash. Edhe pse nuk tregoi detaje nga negociatat që janë bërë dhe sasitë që do të vijnë kreu i qeverisë tha se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria të ketë vaksina që do të mudësojnë vaksinim masiv.

Po ashtu ai u shpreh se sigurimi i vaksinave është ëndrra që e lë atë çdo natë pa gjumë.

“Unë jam shumë shpresë plot që nuk është e largët dita që do të kemi një sasi të madhe vaksinash që të kemi një vaksinim masiv për të pasur një sezon të lehtësuar veror. Nëse realizojmë një vaksinim masiv në Mars, Prill e Maj, do të kemi një sezon turistik ndryshe nga ai që kishim. Me fillimin e vaksinimit të bluzave të bardha dhe të moshuarve ka nisur një mbrojtje.

Me volumet e vaksinave që kemi siguruar do të kemi proces të ngadalshëm vaksinash, por sigurimi i dozave të vaksinave është ëndrra që më lë mua pa gjumë. Por shumë shpejt do të kemi një sasi vrastare vaksinash për virusin”, tha Rama.

Deklaratat e Kryeministrit janë bërë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Lezhë.

Rama: Mosmarrja e vaksinës kineze dhe ruse s’është gjeopolitikë, nuk e blejmë dot 

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë ka folur për blerjen e vaksinave. Rama u shpreh se dhe vendet Evropiane kanë nisur të shohin për mundësinë e blerjes së vaksinave kineze apo ruse, pasi kompanitë që janë në Evropë dhe SHBA nuk arrijnë ti furnizojnë dot.

Lidhur me mundësinë e blerjes nga Shqipëria të vaksinës së prodhuar në Kinë apo Rusi, ai tha se nuk është çështje gjeopolitike, por nuk mund të blihen dot se s’ka në treg të tilla për t’u aksesuar lehtësisht.

“Duket e pabesueshme por është e vërtetë, duket që kontinenti më i fuqishëm i planetit gjendet në këtë situatë. Siç dukej kur momenti i pandemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi, pavarësisht sa të pasura janë. Bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord në shpikjen e vaksinës për COVID. Kjo i dedikohet zhvillimit të shkencës, por këtu jemi në kushtet kur pak kompani, sot janë 4 kompani dhe është gjithë bota që do vaksinën, po të shtojmë dhe kinezen dhe rusen u bën 6.

Nuk jam aspak i bindur se mund të bëhet, por çdo gjë mund të bëhet në këtë Evropë. Një gjë dua të shtoj ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinës kineze dhe ruse është çështje gjeopolitike, nuk është kështu, vaksinat nuk kanë dalë në treg që shko atje dhe i ble. Vaksina nuk ka! Të gjitha janë me sasi shumë të vogla në raport me kërkesën.

Kur Amerika nuk ka vaksina sot për të mundur të thotë që të japë qoftë edhe një dozë jashtë Amerikës, nuk i ka vaksinat stok prodhon vaksinon. Nuk është vaksina kineze e dalë në treg dhe të shkojmë që ta blejmë. Nuk ka, lufta që bëhen, për të marrë ato që janë”, u shpreh./tvklan.al