Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se në mandatin e tretë sistemi i gjobave do të jetë i gjithi online.

Gjatë prezantimit të programit të PS për shërbimet e qytetarëve, Rama theksoi se me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, nuk do shohim më policë në rrugë.

“E për të ardhur tek gjobat, gjobat, ato blloku – blloku dhe komisionet, ankesat, radhët, është drejt fundit, po merr fund. Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online. Punonjësi i policisë kontrollon në kohë reale statusin e targës, të lejes së drejtimit, verifikon nëse ka masa të tjera, taksa të palikuiduara e kështu me radhë. Ndërkohë që, cilido nga ata që merr një gjobë, nuk ka nevojë të shkojë në radhë tek komisioni. Të kapën në rrugën Durrës- Rrogozhinë – Lushnje, je nga Vlora apo je nga Tropoja, duhet të shkosh në Lushnje se aty është komisioni, se je kapur aty. Ndërkohë që apelimi, gjithçka online. Sot që flasim, ka ndodhur, është fakt, për mbi 50 mijë që kanë pasur pretendime për masat administrative për kundravajtjet rrugore dhe organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret.

Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, gjë që është në proces, nuk do shikoni më policë në rrugë. Policia do vijë vetëm atëherë kur duhet të vijë për ndihmë apo vetëm atëherë kur duhet të jetë aty për shkak të një aksidenti apo të një krimi, por nuk do jetë më aty duke pritur e duke përcjellë, duke ndaluar e duke lëshuar. Gjithçka do të jetë online. Sot shërbimet e transportit janë një faqe krejt e re, sot, tani që flasim, jo nesër, por ende nuk ka përfunduar. Ende, procesi i brendshëm, i cili është automatizuar i krejt punës për aplikimet online, për thjeshtim procedurash, për dixhitalizim të dosjeve fizike, për të parë nëse ekziston apo jo një leje drejtimi, direkt aty me një klik, jo “niset te drejtoria rajonale, prit përgjigjen”. Megjithatë vazhdon. Nuk jemi të kënaqur ne që nëse dikur shërbimet merreshin pas dy javësh, tre javësh, katër javësh, shtatë javësh, sot merren brenda ditës me kosto minimale ose krejt zero.

Që një leje drejtimi më përpara bëhej për 15 ditë, 20 ditë, 30 ditë, 40 ditë, dhe xhixhat, xhixhat tek ai spahillari i famshëm, sot bëhet brenda ditës. Atëherë duhej dhe një vërtetim, 2 mijë lekë, pa kafen e LSI-së. Sot është zero. Jemi në kushtet kur në këtë fushë, mund ta plotësojmë të gjithë kuadrin pa humbur kohë, brenda mandatit të tretë. Kujt do t’ia lini? Do ktheni prap spahiun? Spahinjtë? Spahinjtë kanë qenë një çetë e veçantë e atyre ushtrive të Perandorisë që turreshin për të rrëmbyer edhe për të kapur majat dhe pushtuar kalatë”./tvklan.al