Kryeministri Edi Rama, nga Kryeministria, njoftoi se Shqipëria ka përmbyllur me sukses vlerësimin e GRECO-s për angazhimin intensiv në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë, pas përmbushjes së rekomandimeve të KiE-së.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Kadastra pavarësisht zhvillime të saj të shumta, ka nevojë për përmirësim, teksa këtij sektori i është futur dhe dixhitalizimi, proces që do të përmirësojë shërbimet e saj.
Sakaq, Rama pati kritika për sistemin e drejtësisë, pasi u shpreh se “ndodhet në epokën e gurit”. Kreu i qeverisë tha se marrjet në pyetje në institucionet e drejtësisë po kryhen pa audio dhe video, gjë që është vënë në pah dhe nga ndërkombëtarët, siç tha Rama.
Por pavarësisht këtyre, Kryeministri shprehu mbështetjen e plotë ndaj drejtësisë shqiptarë dhe sidomos ndaj institucioneve të krijuara nga reforma e drejtësisë, siç janë SPAK e GJKKO. Kreu i qeverisë theksoi se ka një program për të cilin është investuar që të bëhet dixhitalizimi i drejtësisë dhe çdo çështjeje të saj.
“Jemi të vetëdijshëm që Kadastra ka nevojë për të qenë shumë më efektive me shërbimin ndaj qytetarëve pavarësisht progresit të madh që është bërë krahasimisht me nga jemi nisur. Ndërkohë që ecim me digjitalizimn e plotë të kadastrës, falë mbështetjes që kemi marrë nga Komisioni Evropian, do të punojmë edhe për të futur ai në proceset e kadastrës më pas.
Në sistemet e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori edhe në polici pa audio e pa video. Intervistat në prokurori, që nga juridiksioni i përgjithshëm deri te ajo speciale bëhen si në kohën e gurit, unë të shoh ti më sheh, unë të pyes, ti më thua, e unë shkruaj çfarë të dua, kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare. Është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë e ne do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht. Do vazhdojmë të mbështesim fuqimisht SPAK-un, gjykatën, GJKKO, edhe gjithë institucionet e tjera të reja të krijuara nga reforma në drejtësi dhe duke shpresuar që më në fund do bëhet realitet sistemi i menaxhimit digjital i të gjithë çështjeve që kane të bëjnë me pushtetin gjyqësor.
Një projekt që tanimë ka një vonesë të palogjikshme që shpresoj që më në fund të vihet në vijë. Uroj që Këshilli i Lartë Gjyqësor mos ta vonojë më. Ne si qeveri kemi angazhuar fonde e jemi në mbështetje për të realizuar këtë program.
Krijimi i një sistemi shtetëror të mirë ndërthurur, ku paralelisht me luftë kundër korrupsionit, garantohet edhe liria, të drejtat e njeriut, edhe e drejta e publikut për të pasur transparencë të plotë në proceset e brendshme të shtetit, konkurrenca e lirë dhe të gjitha ato që e bëjnë një shtet demokratik. Një demokraci funksionale të denjë për familjen e BE.”, tha Rama.
Në përfundim të aktivitetit, Rama dha falenderimet e tij për të gjithë të pranishmit, ministren e Shtetit dhe Antikorrupsionit, Kryepolicit të Shtetit, trupës diplomatike dhe Këshillit Evropian.
“Në mbyllje dua të falenderoj njeriu pa të cilin nuk do ishim sot, që është ministrja e Shtetit dhe Administratën Publike Antikorrupsionin. Dua të falenderoj të gjithë skuadrën që ka punuar intensivisht për ta ushqyer qeverinë me produkte të marketit Evropian të politikave, të marra të freskëta nga Brukseli dhe Strasburgu. Dua të falenderoj padiskutim Këshillin e Evropës dhe vetë zotin Esposito për disponimin e për ardhjen e tij këtu sot. Dua të falenderoj ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren sot që vigjilon mbi ne si një agjente e devotshme e BE. Ndjehemi të përndjekur 24/7 për të kryer detyrat në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt që të përfshihemi në atë familje, e të mbyllim më në fund këtë krushqi kaq të vështirë. Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit, edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, edhe trupën diplomatike të rreshtuar me krenari.”, tha Rama.
/tvklan.al