Në një komunikim përmes një video-mesazhi në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh i kënaqur se masat e ndërmarra për parandalimin e koronavirusit duket se për fat të mirë kanë funksionuar, por u tregua i kujdesshëm duke mos dhënë arsye për të “festuar”.

Ai u shpreh duhet ende rezistencë në këtë luftë me Covid-19, që sipas Ramës ende nuk ka mbërritur në mesin e saj.

“E di që nuk është e lehtë të vazhdojmë kështu, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër dhe nuk dua të entuziazmoj askënd para kohe sepse s’ka vend, por dua t’ju informoj se po detajojmë një plan të lehtësimit të masave që do të hyjë në funksion sapo të shohim fillimin e rënies së kurbës së infektimit. Nuk e dimë se kur mund të ndodhë kjo, por deri në mesin e prillit do të kuptojmë sesa thellë është shtrirë ky virus. Ndërkohë po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes që do ti kemi gati me ndihmën e Zotit duke filluar me pikatore nga java e ardhshme po qe se numrat deri të dielën do na lejojnë ta marrim në konsideratë përdorimin e pikatores. Prisnim një kapërcim numrash javën që lamë pas, çka e bën më optimist sesa ishim në nisje por nuk do të thotë asgjë sot për sot, ndaj vigjilencë dhe rezistencë pa u lodhur e pa u mërzitur”.

Rama u shpreh se për ata që po vuajnë ekonomikisht, do të bëjë të pamundurën për t’i lehtësuar.

“Jemi në luftën e tretë botërore… ekonomia bie, ekonomia ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukë nuk ka vdekur asnjë shqiptar dhe as në këtë luftë nuk do vdes… në këtë. Lufta është reale edhe pse armiku është i padukshëm”. /tvklan.al