Kryeministri: Reforma në drejtësi është një rrugë e drejtë

Teksa shenjestra e SPAK po drejtohet çdo ditë e më shumë zyrtarë të lartë, kryeministri Edi Rama meritat ia njeh Partisë Socialiste. Në takimin e radhës në asamblenë e Durrësit kreu i qeverisë tha se kjo reformë po prek edhe ata që dikur kanë qenë të paprekshëm.

“Në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë. Nuk ka më njeri të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm gjë që dukej e pamundur deri disa kohë më parë.”

Kushdo që përdor pushtetin në mënyrë të paligjshme tha kryeministri, do të përballet me ligjin.

“Kush del nga rruga e zotit dhe e ligjit mund t’i ndodhi dhe kur i ndodh duhet të përballet me ligjin.”

Kryeministri Rama foli edhe për protestën e studentëve të Mjekësisë, të cilëve u krahasoi kostot e studimit me Gjermaninë, vendi që më së shumti synohet nga ta.

“Një nga arsyet që Gjermani sot ka problem me mjekët është kostoja shumë e lartë e studimeve. Atëherë për çfarë arsyeje të gjithë duan të ikin në Gjermani direkt?! Mirëpo për kë paguan taksa shteti shqiptarë, për shtetin gjerman?!”

Kryeministri Edi Rama tha se buxheti për vitin e ardhshëm ka 400 milionë Euro të dedikuara për rritjen e pagave në sektorin publik.

“Gjithë kjo politikë e re pagash u tha se do të plotësohet me  këtë buxhet dhe plotësohet me këtë buxhet, për infermierët, mësuesit, punonjësit e rendit, forcat e armatosura.”

Në Asamblenë e PS në Durrës Kryeministri Edi Rama foli edhe për turizmin  ku tha se deri në 2030 Shqipëria mund të arrijë shifrën e 20 milionë vizitorëve të huaj.

Klan News