Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një skanim të listave të kandidatëve që u dorëzuan një ditë më parë në KQZ. Rama tha se skuadra e Partisë Socialiste është më e mira dhe beson se do të arrijë një fitore në 25 Prill.

Për Partinë Demokratike, Rama u shpreh se lista e PD ishte zhgënjyese për të dhe e quajtur afirmim të fosilizimit. Ndërkohë listën e LSI e quajti, liste e SPAK-ut dhe OFL-së.

Me lejoni të bëj një përkufizim si e shoh unë karakterin e forcave që janë tanimë publikisht të përcaktuara mes formacioneve të tyre ne fushën e ndeshjes së 25 Prillit. PD e mishëron me formacionin e saj karakterin e Shqipërisë. Ne kemi një skuadër që shkon përtej PS-së dhe reflekton fuqinë e vetë ndryshimit. PS lindi nga një fuqi vetë ndryshimi në kushte historike dramatike dhe nën drejtimin e Nanos pati ndryshim. Në gjithë periudhën e jetës sime kam dashur ta gdhend këtë dhe kam bindjen që kjo është e vetmja mënyrë që në parti ti rezistojë kohës.

Skuadra e PD është, është, zhgënjyese dhe për mua. Unë nuk besoj se ky mund të ishte maksimumi që ndodhet, pavarësisht situatës së vështirë ku ndodhet për shkak të lidershpitit të karakterit. Unë nuk besoj që rrethi apo perimetri i PD të jetë kaq i ngushtë dhe nuk ofron dot më shumë se ka. Lista e PD është afirmimi i fosilizimit.

 Për LSI-së nuk dua të humbas kohë është listë e SPAK dhe OFL-së. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe më vjen keq për shumë të rinj dhe të reja që nuk i përkasin këtij organizimi që janë enturazh si mezet rreth karkalecave të tiganit të Monikës. Është katandisja keq e më keq e një partie që ka luajtur rol në proceset demokratike të Shqipërisë, që sot është një magazinë private që menaxhohet nga gruaja e Presidentit.

Së pari PS bën një dallim të qartë me forcat e tjera dhe vazhdon të thellojë një proces që është një proces historik dhe një proces fiziologjik në vetë PS-në, të ngushtimit të vazhdueshëm të hendekut gjinor. Ne kemi 10 gra nga 12 përfaqësues të shoqërisë dhe partisë në vendin e parë në çdo qark. Dhe 7 nga 12 janë prurje të reja, janë njerëz që vijnë me kontribute në shoqëri dhe ndajnë me ne vizionin dhe bindjet mbi shoqërinë. PS ka një skuadër që e harmonizon mirësinë, eksperiencën dhe muskulaturë ka shoqërinë”, tha Rama.

“Shqipëria e ardhmja jonë”, Rama: Emigrantët të investojnë kursimet në Shqipëri

Pas dorëzimit të listave me kandidatët për deputetë, kryetari i PS Edi Rama ka njoftuar sot edhe sloganin e fushatës së socialistëve, që është “Shqipëria e ardhmja jonë”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia rozë, Rama është shprehur se programi i Partisë Socialiste është Shqipëria e vitit 2030. Ai u ka bërë thirrje emigrantëve që të kthejnë kokën pas dhe të investojnë kursimet në Shqipëri.

Shqipëria  e 2030 duhet të jetë zgjedhja  e parë e çdo shqiptari, dhe jo emigracioni të jetë zgjedhja e shumëkujt që 1001 arsye preferon emigracionin dhe Shqipërinë. Është e bukur dhe e lehtë ta thuash, është shumë më e vështirë ta bësh, por unë beosj se i kemi të gjitha mundësitë që ta realizojmë këtë ambicie hap pas hapi dhe që t’u krijojmë shqiptarëve perspektivën e një jete të denjë në tërësi dhe t’ju japim vit pas viti emigrantëve arsye gjithmonë e më bindëse për të kthyer kokën nga Shqipëria, jo thjesht shpirtërisht por konkretisht për të investuar kursimet e tyre për t’u kthyer në Shqipëri për të ndërtuar jetën e tyre. Dhe kështu hap pas hapi Shqipëria e kësaj dekade ta kapërcejë me sukses këtë fazë historike”, është shprehur Edi Rama.

“Zgjohet i buavitur dhe i shpall luftë Greqisë”, Rama komenton kandidatët e PD në Tiranë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka komentuar listën e kandidatëve të opozitës së bashkuar për zgjedhjet e 25 Prillit. Nga selia rozë, Rama foli me emra konkretë për listën e Partisë Demokratike në Tiranë, ku janë përfshirë edhe kryetarët e partive të vogla aleate të demokratëve.

Nuk e di cili është ai qytetar që e ka zemrën djathtas që në Tiranë do dalë nga shtëpia të votojë një skuadër ku kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë me radhë 1 në 2 fosilet e Shqipërisë. Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, dhe natyrisht dezdemona Mesila Doda, Dash Shehi. Është e pabesueshme. Kjo është një skuadër  e futur për të mbajtur bashkë lojtarët në fushë në mënyrë që njëri të mos dehet në stol, tjetri mos vjedhi tutat e të tjerëve në stol, tjetri mos marri stolin dhe të iki në shtëpi. Dhe kjo është alternativa për Shqipërinë?

Me Fatmir Mediun fiton Shqipëria? Me Fatmir Mediun fitojnë pronarët që ka që ditën që vdiq i ndjeri Sabri Godo që i mori vulën e futi në xhep dhe me atë vulë vetëm një certifikatë prone ka vulosur Mediu, vendin si deputet në parcelën e PD. Shpëtim Idrizi? Sekseri i Çamërisë që zgjohet nga gjumi në orën 2 edhe del i buavitur në televizor i hap luftë Greqisë. Vangjel Dule në Tiranë? Çfarë do Vangjel Dule në Tiranë? Apo se nuk e voton më njeri në Sarandë apo minoritet në Gjirokastër?

Se Mesilën e kuptoj, e kanë futur se do më lidhi mua me zinxhir pasi dogji palmën te Kryeministria. Është katastrofë. Jam i keqardhur dhe zhgënjyer. Qytetarët e Tiranës kanë mundësinë të zgjedhin midis 2 pensionistëve, Luljeta Bozos dhe Sali Berishës. Dhe do zgjedhin Saliun? Kjo është e reja që sjell PD për pensionistët? Edhe Luli në krye të listës, se dhëndri vihet gjithmonë në ballë edhe pastaj është gjithë fisi që i shkon mbrapa për të shkuar në dasmë”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama. 

Rama tregon se çfarë u ka thënë anëtarëve të Kryesisë së PS për listat

Kryeministri Edi Rama ka treguar sot para mediave se çfarë ka thënë në Kryesinë e Partisë Socialiste. Rama është shprehur se është i bindur për ndryshim dhe vetëndryshim të partisë dhe thotë se ky duhet të jetë një proces që duhet të vijojë gjithmonë.

Po ashtu kreu i qeverisë ka thënë se nëse ai vetë nuk kërkon ndryshim nuk duhet që të qëndrojë më në PS dhe nuk i duhet as vendit.

 “Nuk ka asgjë të re përveç Agron Gjermarkajt. Është një kontribut i PD që largon nga klubet e natës mediatike, por nuk besoj se është një akt serioz dhe një akt respekti për demokratët e Lezhës. Pash para se të vija këtu një deklaratë të një zonjë që më rezulton se është një kandidate PD në Kurbin dhe për kuriozitet më folën fjalë të mira. Deklarata e saj ishte që meqë nuk kanë granë në listën e PD, do mbështesin PS-në se është një grua. Gratë në listën e PD janë për të zbatuar ligjin, se duhet një në çdo tre të jetë një grua.

Kjo është pak a shumë panorama për skuadrat që janë në fushë, ne nuk e kemi betejën me PD-në apo LSI-në për t;u bërë më të mirë në çdo hap. Ajo që u kam thënë dje të gjithë kryesisë është që ne nuk mund të jemi dot njerëz që drejtojmë këtë forcë politike dhe të listojmë bazuar në idenë që kemi për njëri-tjetrin brenda mureve. Nuk mjafton. Sado pozitive dhe sa do me bindje të jetë ideja ime për njërin apo tjetrin. Por cila është ideja e publikut, jo vetëm për një njeri, por për PS-në. Qytetarët nuk janë aty për të votuar ata që shohin, dëgjojnë e nuk reflektojnë.  Qëllimi im është që të rrafshojmë muret ndarëse, se u bë këngë Rilindja apo PS-ja.

Është absurde që njerëz që e shohin PS-në nga jashtë të kërkojnë që një pari të mos rilind duke u hapur. Është PS që ka detyrimin të vetëndryshojë. Është një proces që ka ardhur duke u konsoliduar. Nuk kam asnjë diskutim unë për miqtë shokët kolegët që kanë dhënë shumë në vite, për mua e kanë vendin gjithmonë të palëvizshëm në sytë e mi. Por çështja është a mjafton kjo për shoqërinë? E shkuara e secilit në një parti politike, është historia e tij dhe e partisë, nuk është një arsye që atje njeriu i rrugës të ndalet e të votojë. Partitë politike janë për të jetuar për t’u drejtuar në lartësinë e të sotmes. Nëse unë nuk arrij të bëj këtë për çfarë i duhem unë PS-së dhe vendit.

Skuadrat ndërtohen me lojtarët që janë më në formë dhe më në gjendje në atë moment të përballojnë kundërshtarin dhe të fitojnë ndeshjen, nuk ka historia të tjera. Listat e deputetëve nuk janë muzeume. Nuk janë stenda për të vendosur vazot e antikitetit. Sali Berisha për PD-në ka shumë vlerë, por për çfarë duhet të jetë këtu tani, për çfarë? Për të ndaluar emigracionin? PD ka ndërtuar një stendë me vazo antike, por janë fosile”, u shpreh Rama.

Edi Rama zbulon para gazetarëve çfarë i kërkoi Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk është përfshirë në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit.

I pyetur nga gazetarët nëse ka patur debat me Bushatin në mbledhjen e Kryesisë së PS mbrëmjen e 8 Marsit, Edi Rama tha se kjo gjë nuk do ta pengonte atë që të përfshihej në lista nëse do të kishte punuar në terren.

Por Rama ka zbuluar se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Ditmir Bushatit pak kohë më parë, duke u treguar gazetarëve se çfarë i kishte kërkuar dhe synimin që kërkonte të arrinte.

Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe ka thënë dua të bëhem Sekretar i OSBE, dua mbështetjen tënde, dhe unë i kam thënë PO do kesh mbështetjen time. Dhe Ditmir Bushati ishte një nga kandidatët, i kemi dhënë të gjithë mbështetjen dhe pse në kushte jo të lehta pasi duke qenë kryetar në detyrë i OSBE për 1 vit dhe kur duhet të zgjidhej katërshja e Sekretariatit, kryetari i OSBE ka rolin e ndërmjetësimit dhe disa vende kanë shprehur rezerva për kandidaturën nga Shqipëria në kushtet që Shqipëria ka drejtimin e OSBE. Deri në fund unë e kam mbështetur Ditmir Bushatin. Çfarë debati mund të kem unë me Ditmir Bushatin? Një sekretar i OSBE nga Shqipëria do të ishte kryevepër. Unë kam mbështetur Ditmir Bushatin dhe Shqipërinë. Si mundet të jem personi që tha ashtu tha kështu”, u shpreh Edi Rama.

Sa i përket mospërfshirjes në lista të ish-ministrit të Jashtëm, Rama tha se Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë më në asnjë aktivitet të Partisë Socialiste që pasi u largua nga drejtuesi politik i Qarkut Shkodër. Kreu i selisë rozë pranon se me Ditmir Bushatin ndahet në mendime, por kjo nuk e ndryshon opinionin që ka pasur për punën e tij.

“Shokët e Ditmir Bushatit sot janë tek kufiri, e jo se kanë bërë debate me mua, por ata përveç punës si ministra, përveç mbledhjeve dhe daljeve në televizor kanë punuar tokën, kanë mbjellë e kultivuar në terren me njerëzit përditë të korrurat e 25 Prillit, ndërsa Ditmir Bushati ditën e parë që u ndryshua si drejtues i Shkodrës ka zbritur nga treni dhe nuk është shfaqur në asnjë aktivitet. Nëse Ditmir Bushati do të kishte punuar tokën, do të ishte njësoj si shokët e vetë”.

Renditja e Xhafës në listën e Tiranës, Rama: Skuadra ndërtohet për të fituar jo për t’i vënë njerëzit në stenda

Kryeministri Edi Rama ka komentuar renditjen e Fatmir Xhafajt në pozicion jo të favorshëm në listën e kandidatëve të PS në Tiranë, duke thënë se e ka pranuar sfidën.

Gjatë një komunikimi me gazetarët nga selia rozë, Rama u shpreh: Fatmir Xhafa e ka pranuar sfidën për të kontribuuar për skuadrën në një pozicion ku duhet të bëjë një përpjekje për të thyer listën. Por duke qenë aty kontributi i tij për skuadrën do të jetë i paçmueshëm. Do të shikoni në fund kutitë, do të marrin të gjithë vota, secili ka një profil, nuk është kot aty”.

Duke komentuar renditjen, Rama tha se eksponentët më të vjetër në parti janë vendosur në kufirin e listës për shkak të eksperiencës së tyre.

Gjëja që më shqetëson është se flitet për lista fituese e jo fituese, ndërkohë që këtu është përmbysur koncepti. Këtu nuk ka në këndvështrimin tim dhe konceptimin mbi të cilin është ndërtuar skuadra nuk ka lista fituese e jo fituese, nuk ka vend për të vënë stenda e për t’i vënë njerëzit në stenda sipas historisë e kontributeve, që këta kanë dhënë në një segment apo në një segment tjetër. Kjo është ndeshje për të dalë përpara popullit për të ardhmen, apo kjo është një kohë kur po shkojmë në një panair që të ekspozojmë reliket dhe antiket dhe individët sipas historisë sonë. Kjo është shumë e thjeshtë. Skuadra ndërtohet për të fituar dhe maksimizuar rezultatin me të gjithë lojtarët që ka. Nëse doni të dini dhe nëse do flisja unë për Fatmir Xhafajn, atëherë çfarë mbetej për ju pastaj. I kam thënë gjërat siç i kam menduar dhe siç i mendoj edhe sot për Fatmir Xhafajn, kur shumica e jush ju qep nga mbrapa e nuk e la rehat. Sot, kundërshtarët janë shumë të shqetësuar, se ju ka dalë përballë një skuadër që as nuk e prisnin dhe as nuk dinë si ta luftojnë, se është një skuadër me shumë fuqi të reja e të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Shefi i PS kujtoi edhe sulmet që i janë bërë Fatmir Xhafajt nga opozita në kohën kur ka qenë ministër i Brendshëm.

Është shumë e rëndësishme të nënvizohet se që nga fakti që ata që nuk kanë lënë gjë pa i bërë Fatmir Xhafajt, ata janë tani shumë të shqetësuar. Shqetësohen se PS nuk po konsideron një vlerë kaq të madhe, ndërkohë që atij njeriu nuk kanë lënë gjë pa i bërë, duke shkuar përtej çdo limit moral, etik, njerëzor, domethënë e kanë sulmuar si kafshë. Tani menjëherë ndjehen të lënduar dhe flasin në emër të opinionit. Kjo është për t’u nënvizuar, sepse është e rëndësishme që njerëzit ta mbajnë parasysh këtë. Për çfarë u lënduan këta? Kanë hallë se do humbasë PS, apo se PS është dobësuar”. /tvklan.al