Përpara të zgjedhurve socialistë dhe 4 deputetëve të rinj të dalë nga radhët e LSI, Edi Rama siguroi shqiptarët dhe opozitën që protestonte jashtë dyerve të Kuvendit që zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Ne, jemi këtu për të vijuar punën tonë. Ky parlament është vendi ku na ka sjellë shumica e shqiptarëve dhe na besuar të qeverisim deri në 2021. Ne me mandatin nuk luajmë bixhoz sikur luajnë ata, që pas tyre qëndrojnë grupe interesash që janë mundur, nga bixhozi dhe të tjerët. Pushtet ne tavoline nuk ka”.

Rama garanton se nuk ka kthim pas dhe se çelja e negociatave në Qershor do të jetë e mundshme sepse do të bashkëpunojë me opozitën e re për të miratuar së bashku Reformën Zgjedhore që është kushti i vetëm i paplotësuar sipas tij për këtë proces.

“Nuk do të shkojmë në Bruksel të themi nuk e bëjmë dot këtë, se ata ikën, këtë nuk e bëjmë dot, ne do të gjejmë rrugën të dialogojmë me opozitën që do të zërë vendet këtu në sallë dhe bazuar mbi rekomandimet e OSBE-së dhe do të shkojmë përpara, ashtu si me votën e emigrantëve”.

Por mbetet i hapur për dialog me atë që e quan opozita e vjetër.

“Ata e morën pushtetin, pasi PS-ja luftoi vetveten, ata nuk kanë asnjë shans asnjëherë që të bëhen shumicë, aq më tepër sot, kur shumica është kompakte, na duhet qetësi. Ka të tjerë që kanë ardhur sot dhe do të vijojnë që të vijnë, çka do të thotë se këta nuk janë e vetmja zgjidhje. Ne duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Ne jemi gjithmonë gati të flasim, dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë është gjithmonë për të dialoguar për gjithçka, por nuk jemi gati që të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi dhe çdo sistemi tjetër”.

Pavarësisht vendimit të PD- LSI, nëse do të futen ose jo në zgjedhjet lokale të Qershorit, kryeministri  është i bindur se socialistët do ti fitojnë të gjitha bashkitë.

Protestat e dhunshme, thotë kreu i ekzekutivit, nuk po dëmtojnë qeverinë, por vetëm imazhin e vendit, ndonëse kishte marrë një premtim për të kundërtën nga Lulzim Basha, 18 Majin e 2017-s.

Pas fjalës në parlament kryeministri është nisur drejt Italisë, ku siç lajmëron do të jetë i ftuar në disa kanale televizive për të folur dhe mbrojtur Shqipërinë pas cenimit të rëndë që thotë se i ka bërë shfaqja e turpshme e dhunës partiake të 16 Shkurtit e në vazhdim, e cila ka trembur investitorët e huaj dhe cënon turizmin që punëson e ushqen dhjetëramijëra njerëz.

Tv Klan