Para punonjësve të Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk mund ta thotë ai nëse kryebashkiaku Erion Veliaj është i pafajshëm ose jo. Këtë dilemë, theksoi ai, do t’ia lërë organeve të drejtësisë ta zgjidhin, ndërsa ai do vijojë me misionin e tij politik. Nga ana tjetër u kërkoi punonjësve të bashkisë të mos ndalin ritmin e punës në kryeqytet, të cilin do e monitorojë vetë vazhdimisht.
“Një përmbysje si kjo që ne kemi udhëhequr me reformën në drejtësi dhe nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë siç është sot Tirana europiane, duhet të shtrëngojmë dhëmbët, të durojmë dhe të vazhdojmë të luftojmë. Këto dëme janë sa të dhimbshme dhe të padrejta, por kush udhëheq nuk duhet të lëkundet në rrugën e misionit, përndryshe degradon, kalbet siç u kalb Tirana kur në vitin 2000 kishte verëm 78 llampa neoni.
Sot jetojmë ku e ku më mirë se sa deri dje dhe pa asnjë turp, thonë ju jeni të gjithë njësoj dhe këtu është bërë keq e më keq. 78 llampa neoni fiks, asnjë më shumë dhe nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike dhe kandilat nëpër dritare, dukej si një varrezë qytet, varresh murale. Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo s’është fajtor dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim, edhe në këtë rast dhe t’ia le drejtësisë ta ndajë këtë dilemë dhe të mbështes plotësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Ndërsa barra juaj e përbashkët është që makineria të mos ndalojë asnjë minutë, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju, që derisa çështja e kryetarit të bashkisë të marrë drejtim në një mënyrë apo në një tjetër, vëmendja ime për Tiranën, për problemet dhe nevojat e punës tuaj do të jetë e pandërprerë”, tha kreu i qeverisë.
/tvklan.al