Teksa kanë mbetur pak minuta kur dogana do të mbyllë kufirin për ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter duke thënë se gjatë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Greqisë për situatën e krijuar në doganën e Kakavijës, ku janë krijuar radhë kilometrike.

Në statusin e tij, Rama shkruan se kanë gjetur mirëkuptim nga pala greke, teksa thekson se e njëjta situatë është edhe në pikat e tjera doganore të Greqisë.

“Gjatë gjithë ditës kemi bashkëpunuar me palën greke në çdo nivel. Kemi gjetur mirëkuptim e gatishmëri dhe faktin është se e njëjta situatë është edhe në kufijtë e tjerë të Greqisë. Faleminderit për vazhdimin e punës gjatë natës sot dhe lutemi mirëkuptimin e qytetarëve në vijim”, shkruan Kryeministri Rama.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka rikujtuar edhe njëherë rregullat e reja që ka vendosur Greqia për hyrjen në territorin e saj, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Njohja e informacionit të duhur për lëvizjet në pikat hyrëse e dalëse me Greqinë është thelbësore për të gjithë qytetarët që po kalojnë orë pritje në pikat kufitare. Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile, përmes efektivëve të FA po informon në vazhdimësi secilin qytetar në Kakavijë e Kapshticë se:
Nga data 16.08.2020 ora 06:00 deri në orën 22:00, nëpërmjet Kakavijës do lejohen të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.
Gjithashtu duhet edhe të kenë rezultuar negativë ndaj COVID-19.
Qytetarët do të njoftohen në të gjitha format për masat e reja, edhe në terren aty ku janë në radhë.
I bëjmë sërish thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve, që të ndërgjegjësohen për respektimin e informacionit të mësipërm, pasi me ritmet që po kryhen procedurat e po kalojnë qytetarët, është e pamundur të kalojnë kufirin para hyrjes në fuqi të regjimit të ri, nga i cili na ndajnë pak orë”
, shkruan në Facebook ministrja Xhaçka.

Por pavarësisht bisedimeve të autoriteteve shqiptare me palën greke, radhët në Kakavijë vijojnë të jenë kilometrike, teksa qytetarët presin për të kaluar në tokën greke prej 4 ditësh. /tvklan.al