Gjatë ditës së tretë të Kongresit të Partisë Socialiste ku në fokus janë të rinjtë, kryeministri Edi Rama tha se ata duhet të marrin përsipër një debat të rëndësishëm në lidhje me punën.

Kreu i qeverisë u shpreh se puna duhet të paguhet më shumë në sektorin privat, por theksoi se sot vendi ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet.

“Patjetër që ne kemi një problem me punën që nuk paguhet sa do të duhej të paguhej dhe rritja e pagesave në sektorin privat dhe pagesave të drejtpërdrejta janë një problem me të cilin duhet të përballemi, por fakti është që sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet.  

Shumë njerëz thonë që kanë ikur, por në fakt matja e papunësisë nuk nxirret mbi bazën e njerëzve që janë këtu, por mbi bazën e shumës së përgjithshme të popullatës.

Rritja e mbështetjes për paga, për bursa apo për pensione do të vijë si rezultat i rritjes së mundësive ekonomike. Rritja e mundësive ekonomike e mëtejshme vjen si rezultat i gjërave që po bëjmë, por që kërkojnë durim”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se edhe Reforma në Drejtësi është një nga instrumentet që do të rrisin mundësitë ekonomike./tvklan.al