Qeveria shqiptare ka paguar paratë për Covax-in dhe tashmë ka hyrë në rrjetin e vendeve që ka prenotuar financiarisht aksesin për vaksinën që pritet të dalë në vijim. Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në Kuvend këtë të hënë se kur të dalë vaksina nuk do të mund që të jetë e gatshme për të gjithë popullsinë.

Megjithatë ai u shpreh se qeveria ka një strategji. Fillimisht do të vaksionohen personat vulnerabël, ndërsa më pas vaksinimi do të vazhdojë falas për të gjitha shtresat e popullsisë.

“Qeveria ditën e sotme ka paguar kaparin për Covax-in. Ka hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë. Po ashtu jemi në komunikim të përditshëm me BE-në, unë kam pasur një bisedë të gjatë me Presidenten e KE-së, me disa nga kryeministrat për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë duke pasur parasysh që vaksina do të dalë, por sasitë që do të jenë të disponueshme nuk do të jenë menjëherë të atilla që do të mbulojnë popullsinë e përgjithshme të Europës, apo edhe të cilitdo vend. Të gjitha vendet kanë një strategji, ne kemi të njëjtën strategji për të vijuar me vaksinimin falas të të gjithë kategorive më të prekshme, më vulnerabël, dhe pastaj për ta shtrirë vaksinimin falas në të gjitha shtresat e popullsisë. Ne sot jemi gati për të pasur askes dhe ndërkohë po punojmë si edhe të tjerët për të ndërtuar aleancat e duhura në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa të tjerëve. Këtë po bëjnë të gjithë, këtë po bëjmë edhe ne”, tha Rama. /tvklan.al