Spitali Memorial i Fierit që po ndërtohet në Fier nga Republika e Turqisë do të jetë spital publik. Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Fierit u shpreh se spitali nuk do të jetë privat dhe se nuk do të ketë fatura ekstra mbi njerëzit. Ai shpjegoi si do të funksionojë spitali.
“Spitali i Fierit do të jetë spital publik. Do të jetë njësoj si spitalet tona publike. Do të jetë pa pagesë siç janë spitalet tona publike. Jo spital privat, jo spital me ndonjë faturë ekstra për njerëzit. Gjithë logjistika do të vijë nga Turqia, por do të jetë një qendër e transferimit të dijes. Për një periudhë tranzicioni 1-3 vite do të shërbejnë 50 persona personel turk dhe 320 persona personel shqiptar. Personeli turk do të ketë që nga drejtuesi, menaxherët, shefat e pavijoneve, mjekët specialistë, infermierë, kryeinfermierë. Personeli shqiptar do të përzgjidhet nga personeli i Fierit dhe më gjerë se sa Fieri mbi bazën e një testi që do të bëhet nga menaxhimi turk”.
Kryeministri Edi Rama ceku edhe faktin që ky do të jetë projekti pilot për autonominë spitalore. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk do të luajë rol në administrimin e spitalit, por do të ketë vetëm rol aprovues dhe monitorues. Po ashtu autonomia spitalore shmang abuzuesit sipas kreut të qeverisë
“Spitali rajonal Memorial siç kemi vendosur ta quajmë do të jetë i pari ku do të pilotohet autonomia spitalore. Faza tjetër e reformës shëndetësore që e kemi prezantuar qysh më herët. Nuk do të jetë më Ministria e Shëndetësisë që do të luajnë një rol në administrim që do të përcaktojnë organikë, funksione etj., etj. Do të kalojnë në një rol aprovues dhe monitorues. Nuk do të jetë pjesë e administrimit të sistemit. Do të ketë një sistem pagash që vlerëson atë që ka më shumë kontribut sipas kritereve, më shumë operacione, më shumë vizita duke bërë atë që është bërë në shumë vende, është bërë edhe në Turqi.
Mjekët dhe infermierët, veçanërisht të spitaleve Covid, për mua janë heronj. Është e dhimbshme që një Tire apo disa Tire të hedhin hije mbi heroizimin e tyre, por kjo është një çështje që adresohet me sistem dhe sistemi ndërtohet me reformë dhe reforma kërkon kohën e vet. Me këtë ndërhyrje të disa anshme i japim sistemit një fuqi të re dhe ne marrim drejtpërdrejt nga eksperienca e transferimit të dijes të gjithë njohuritë që na duhen”.
Kreu i qeverisë zbuloi se edhe më parë është bërë përpjekje për të ndërtuar spitalin e ri të Fierit, por qeveria “dështoi me sukses disa herë”.
“Kemi bërë përpjekje prej shumë kohësh, kemi vite për ta materializuar këtë spital. Kemi bërë projektin, kemi bërë përpjekje për gjetjen e financimit se është financim i konsiderueshëm se është gjithë logjistika brenda që ka një kosto shumë të lartë dhe kemi dështuar me sukses më shumë se njëherë si rezultat i mos arritjes së një skeme bindëse edhe pse kemi pasur interesa të shprehura nga anë të ndryshme pasi për buxhetin e shtetit ishte një operacion goxha i rëndësishëm dhe i pamundur në kushtet ku kemi pasur shumë nevoja në transformimet e sektorit të shëndetësisë. Edhe me qeverinë e Turqisë, kjo çështje ishte shtruar edhe më parë. E kemi shtruar këtë çështje, e kemi kërkuar këtë mbështetje, por për 1001 arsye kjo mbështetje u bë e mundur vetëm së fundmi. Ky spital do të jetë një spital që nuk do t’i shërbejë vetëm Fierit, por më gjerë. Do të jetë një spital që do të duhet të harmonizojë veprimtarinë e tij me spitalin aktual rajonal që nuk është në të njëjtat standarde. Duke u harmonizuar në programin e aktiviteteve do të funksionojnë si struktura komplementale”, tha Rama.
Rama: Do të sjellim në Shqipëri universitete me nam
Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të shtunë se synimi i qeverisë për mandatin e tretë është që të sjellë në vend universitete të njohura dhe me emër të botës.
Sipas Ramës një prej tyre është ardhja e universitetit teknologjik të Stambollit, por jo vetëm. Ai tha se po punohet me SHBA-në për akademinë ushtarake.
Kreu i qeverisë u shpreh se me ardhjen e universiteteve të njohura botërore studentët do të kenë mundësi më shumë.
“Është e rëndësishme që të shtojmë përpjekjet që t’i japim arsimit tonë të lartë cilësi, që universitetet të fitojnë në cilësi. Universiteti me reformën tonë ka marrë autonomi të madhe, por shfrytëzon nga njëra anë lirinë, por nuk shfrytëzon përgjegjësinë. Tjetra është që ambicia jonë është që në mandatin e tretë të shtyjmë shumë për të sjellë këtu universitete që janë me nam, që janë universitete me reputacion në vende të mëdha. Hapi i parë është ardhja e universitetit teknologjik të Stambollit, ku ne kemi pasur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Kjo do u japë mundësi shumë më tepër studentëve shqiptarë që të shkojnë në një universitet ndërkombëtar, por të mos ikin nga shtëpia. Nga ana tjetër është një universitet që funksion perfekt për tregun. Që nga teknologjia e lartë që nga spektri i teknologjive të ndryshme duke krijuar një prurje ekspertësh për shumë aspekte të tregut që ka nevojë të madhe. Uroj dhe besoj që do të kemi universitete të tjera që do të sjellim. Nga njëra anë duke hapur degë të veçanta përfshirë brenda universiteteve tona. Një tjetër projekt që po punojmë me SHBA është akademia ushtarake. Transformimi i saj në një akademi amerikane me profesorë me kurrikula nga SHBA. Kuptohet miks edhe me profesorë shqiptarë”, tha Rama.
“Ushtrova talentin e lypsarit”, Rama: Brenda Marsit vaksinohen të gjitha bluzat e bardha
Sipas kryeministrit Edi Rama brenda Marsit do të vaksinohen të gjithë bluzat e bardha. Po ashtu brenda disa ditësh do të përfundojë vaksinimi i të moshuarve brenda shtëpive të moshuarve. Në lidhje me këtë, Rama shtoi se arsyeja pse nuk ka pasur viktima në shtëpitë e të moshuarve në Shqipëri ka qenë fakti që personeli është karantinuar së bashku me ta.
Rama iu ktheu përgjigje edhe akuzave të Metës për ndarje klasore në vaksinim. Kreu i qeverisë u shpreh se personalitetet që do të vaksinohen do të jenë mbi moshën 80-vjeçare dhe do t’i shërbejnë akoma më shumë fushatës së vaksinimit.
Po ashtu ai kujtoi takimet e tij në New York për të marrë një kontratë me Pfizer dhe u shpreh se e ushtroi “të gjithë talentin e lypsarit”.
“Ushtrova të gjithë talentin e lypsarit për raste të tilla dhe ia dola që të marrim një kontratë. Kontrata u bllokua në momentin që bllokoi furnizimin javën e parë. Tani ka filluar lëvrimi. Brenda muajit Mars e gjithë sasia që do të vinte nga mesi i Janarit-Shkurt dhe Mars do të vijë. Jemi në diskutim për të marrë sasi të tjera vaksinash. Me Pfizer vazhdojmë çdo ditë kontakte për të afruar dozat. Brenda Marsit mbarojmë vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve. Mbarojmë brenda disa ditësh vaksinimin e të moshuarve brenda shtëpive të të moshuarve
Në shtëpinë e të moshuarve kemi 700 të moshuar pa njeri dhe 300 personel dhe nuk kemi pasur asnjë fatalitet. Në Francë ka pasur skandale sepse hyri virusi në shtëpi të moshuarve dhe i mori të gjithë. Nuk kemi pasur fatalitete sepse personeli i shtëpive të moshuarve është futur brenda, është karantinuar totalisht si ata. Kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme. Janë nëna dhe gjyshe që janë karantinuar brenda me të moshuarit.
Fillojmë ditën e diel vaksinimin e moshës 80 e lart. Duhet të shtoj se është bërë një bolori e madhe. Unë thashë se do ta fillojmë vaksinimin me disa personalitete që i kanë dhënë shumë vendit tonë dhe që nuk duhet t’i kujtojmë vetëm me lajmin e hidhur që u ndanë nga jeta, por sot që kemi mundësi të kujdesemi për ta duke filluar vaksinimin për moshën 80+. Flas për personalitete 80+. Nuk flas për personalitete hajde të marr Bujar Nishanin dhe ta vaksinoj. Këtu çfarë nuk u tha. Një filozof që shfaqet shpesh thoshte genocid. Presidenti thoshte ndarje klasore, diktaturë. Ilir Meta e ka thënë që të sqarohemi. Është diktaturë që një 80-vjeçare si Tinka Kurti ta vaksinosh kur fillon vaksinimin e të moshuarve? Vaksinimi i tyre është edhe një ndihmë që i jepet fushatës së vaksinimit për të kaluar fushatën që duhet vaksinuar sepse duhet në një kohë ku ka lloj sharlatanësh që flasin për çipa që do të futen nëpërmjet vaksinës për të dëgjuar këta nëpër kafene dhe tallen e qeshin dhe kështu Bill Gates do të mbledhë thashethemet e tyre në arkiva në ujë për të bërë çfarë?”, tha Rama.
“Na ndryshuan prioritetet”, Rama: Çfarë duhet të keni parasysh kur të gjykoni mandatin që po mbyllim
Mandat të vështirë e konsideron kryeministri Edi Rama këtë që po mbyllim sa i përket financimit dhe kjo për dy arsye. Ai u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Fierit se tërmeti, por edhe pandemia kanë detyruar qeverinë që të ndryshojnë prioritetet. Sipas Ramës, kjo duhet marrë parasysh kur të gjykohet mandati që po mbyll PS-ja.
“Na është dashur të ndryshojmë qasje, të ndryshojmë drejtim të financimeve, të ndryshojmë prioritete sepse na janë prezantuar prioritete komplet të tjera të padëshiruara. Tërmeti na prezantoi prioritet rindërtimi dhe pandemia mbrojtjen sa më mirë të shëndetit. Duhet pasur parasysh dhe kjo kur gjykohet mandati që po mbyllim”, tha Rama.
Rama: Përshpejtimet e sforcuara nuk sjellin drejtësinë e re, nuk të fut në burg qeveria
Kryeministri Edi Rama u ndal tek korrupsioni gjatë një bashkëbisedimi që pati me qytetarët e Fierit. Kreu i qeverisë u shpreh se Reforma në Drejtësi është duke dhënë rezultatet e saj. Ai u shpreh se drejtësia e re nuk është më një iluzion, por theksoi se nuk është qeveria që e jep atë. Sipas tij, përshpejtimet e sforcuara në Reformën në Drejtësi apo urdhrat që vijnë nga lart, nuk japin drejtësi, por iluzion të drejtësisë. Rama u shpreh se qeveria bën maksimumin duke u dhënë institucioneve mekanizmat e duhura për të bërë drejtësi.
“Sot është më shumë se kurrë që shqiptari që duhet të ketë besim që drejtësia nuk është iluzion, por mundësi që po krijohet. Nuk bëhet drejtësia pse nuk e fute këtë ose atë në burg o kryeministër. Larg qoftë nëse do të ishte në dorën time dhe Gramozit se mund ta kishim bërë këtë si tipa që jemi. E vërteta është që nuk do të kishim zgjidhur problemin. Mund të kishim dhënë idenë që do ishte triumf, por i përkohshëm. Ideja është që të krijojmë triumfin e drejtësisë në sistem. Ka akoma llum në sistemin e drejtësisë, sot me siguri ka ndodhur ndonjë krim në gjykatë se janë njerëz që thonë unë e di që nuk kaloj vettingun dhe kap ça të kapësh. Një gjykatëse tipike përfaqësuese e këtij llumi është para hekurave pikërisht për atë qasje që u ka nxitur jetën njerëzve. Është dhënë mesazhi nga institucionet që këtu ka një limit dhe pandëshkueshmëria është vënë në diskutim. Është shumë e pështirë të shikoje Tiren dhe të tjerët, por janë prapa hekurave. Tirja është fenomen i pandemisë së korrupsionit në 30 vjet. Është prapa hekurave. Ashtu si kundër dhe ai liberali i djathtë që thotë se; “Më kanë futur në burg se jam i djathtë”. Bashkë me disa analistë që predikojnë se “këto goditje kanë qenë elektorale”. Se ça lidhje kanë këto me elektoralen, ca lidhje kemi ne me këto?! Vetëm këta e dinë. Procesi po ecën me një ritëm që nuk duan shqiptarët sepse u ka ardhur në majë të hundës, por përshpejtimet e sforcuara apo urdhrat nga lart nuk janë drejtësi, por iluzion i drejtësisë. Në burg nuk të fut partia, por drejtësia. Çfarë bëjmë ne? Ç’është e mundur që t’u japim institucioneve mekanizma që të bëjë drejtësi, por jo të bëjmë ne drejtësi. Është shumë e bukur ta thuash, por e vështirë ta bësh”.
Një tjetër aspekt të largimit të korrupsionit, Rama e lidh me dixhitalizimin. Sipas tij heqja e e kontaktit të qytetarit me marrjen e shërbimit ul korrupsionin.
“Lufta kundër korrupsionit është shtetndërtim. Qoftë në aspektin e krijimit të sistemit që nuk le hapësirë për korrupsion, qoftë në aspektin e drejtësisë. Nëse në Gjermani është e paimagjinueshme që një punonjës të të kërkojë lekë kjo vjen si pasojë e sistemit që e bën të pamundur të kërkojë lekë. Nëse 30 shqiptarë do të shkojnë në sistemin gjerman, as nuk do i shkonte mendja të kërkonte lekë se nuk do i linte sistemi. Nëse do merrnim 30 gjermanë dhe do i vinim në sistemet tona herët a vonë do të korruptoheshin, është sistemi që i korrupton. Kemi mundësinë të bëjmë hapa përpara për shkak të digjitalizimit. Në shërbimet që lidhen me njeriun ti nuk mund ta heqësh njeriun dhe ta bësh kompjuter kur është fjala për një infermiere, apo një mësues, apo ta heqësh njeriun e ta bësh kompjuter kur vjen puna tek dokumentet që shteti jep. Heqja e kontaktit dhe vendosja e shtetit në pasqyrën e kompjuterit bën një ulje drastike. Besoj që nëse shohim shifrat, shifrat sot flasin që është shumë më ndryshe seç ishte. Po të shohësh sa shërbime janë dhënë në e-Albania, janë miliona shërbime. Janë dyfish milionë ecejake që do bëheshin nëse nuk do kishte shërbim online. Është proces që vazhdon dhe jam i bindur siç është përparuar me mësuesit, do të përparohet edhe me mjekët, infermierët dhe me shërbimet”, tha Rama.
“Kam hyrë në borxh me Zahon”, Rama: Po të shprehja pakënaqësitë për qeverinë do dukesha si kreu i PD-së
Kryeministri Edi Rama tregoi në Fier këtë të shtunë se pse e do edhe një mandat të tretë në krye të punëve të vendit. Ai tha se nuk i lë betejat në mes dhe ato duhen çuar në fund.
Kreu i qeverisë shtoi se nëse do të ishte i kënaqur me punën e bërë deri më tani do të largohej nga posti i kryeministrit për t’iu përkushtuar familjes. Por ai u shpreh se është më i pakënaquri në lidhje me çfarë është bërë pasi duhen çuar deri në fund reformat që janë nisur.
“Nëse unë do të mbaja një fjalim për çfarë nuk shkon do të isha i gatshëm për sytë e shumëkujt që të merrja drejtimin e PD-së, realisht do të dukesha demokrati më vigjilent”, tha Rama.
“Unë nuk hyj tek ata që i le në mes betejat apo punët dhe këtu ka disa beteja shumë të rëndësishme për të fituar që nuk janë fituar ende. Unë nuk mendoj se të tjerët mund t’i fitojnë. Jam i bindur që të tjerët nuk i fitojnë dot. Që nga beteja për të futur në shtëpi ata që janë në pritje për të hyrë në shtëpi. Jam i bindur që historia e tyre do të kthehej në kalvar, ndërkohë që ne e kemi vënë në vijë dhe do ta çojmë në fund. Nuk është betejë mekanike se kush qeveris dhe shtëpitë do të ndërtohen. Shtëpitë do të ndërtohen, por si do të ndërtohen, kur do të ndërtohen? Është betejë e jashtëzakonshme për vaksinimin që është e lidhur me aftësitë e qeverisë dhe aftësinë e lidershipit të vendit për të garantuar vaksinat. Kush do ta garantojë këtë? Pastaj janë të gjitha projektet që kemi diskutuar dhe që duhen çuar në Fier. Rilindja urbane është projekt në vazhdim që nuk ka të bëjë thjesht me zbukurimin, por sjell ekonomi. Nuk është e rastit që fatkeqësisht u desh të kalonte çerek shekulli që Shqipëria të ripërtërinte zemrat e qyteteve. Qytetet ishin me zemër të ndalur, nuk iu punonte zemra. Sigurisht që kanë akoma gjymtyrë të prandaj duhet mandati i tretë sepse duhet çuar ripërtëritja në çdo gjymtyrë.
Nëse unë do të mbaja një fjalim për çfarë nuk shkon do të isha i gatshëm për sytë e shumëkujt që të merrja drejtimin e PD-së, realisht do të dukesha demokrati më vigjilent sepse jam i vetëdijshëm se çfarë nuk shkon. Nëse do të hyja në një garë për kupën e të pakënaqurit nga qeveria unë do ta fitoja kupën se nuk jam i kënaqur dhe po të isha i kënaqur me këtë punë do të thosha boll se kam hyrë shumë në borxh me familjen sidomos me atë të voglin. Këtu sfida është pse jemi të pakënaqur? Jemi të pakënaqur sepse nuk e kemi shtëpinë që kemi këtu siç e duam. Shtëpia këtu është njësoj si kantieret e rindërtimit. Duhet ta mbarojmë ne reformën e shëndetësisë, duhet ta përmbyllim çfarë kemi nisur, sepse është një fazë historike kjo çfarë kemi nisur, por duhet ta mbarojmë ne reformën e energjisë dhe janë të gjitha në proces. Të ndërpresësh këtu punën është të tradhtosh qëllimin dhe të tradhtosh njerëzit. Se po të ishte thjesht dëshirë egoiste, e verbër personale për t’i rënë shkurt për të qenë rehat, unë nuk jam dikush që nuk di të bëj punë të tjera, do merresha me art, do merresha me çunin e vogël, familje, me shokë, miq etj.”, u shpreh kryeministri.
Rama humor me qytetarët: Kujdes mos iu dal në frigorifer
Kryeministri Edi Rama u ndal në Fier këtë të shtunë ku pati një bashkëbisedim të gjatë me qytetarë të këtij qyteti. Pas rreth 2 orë e 30 minutash takim ku iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria ka vullnetin njësoj si ditën e parë për të çuar në fund projektet e nisura. Po ashtu, Rama nuk la pas batutat me daljet e shpeshta dhe të gjata në televizor. “Kujdes kur hapni frigoriferin mos iu dal në frigorifer”, tha ai.
“Mirë unë iu falenderoj shumë dhe do kemi mundësi prapë. Shpresoj që për ju nuk ishte e mërzitshme megjithëse mua nuk më shikoni për herë të parë, ndërkohë që jeni këtu më keni në televizor në shtëpi. Kujdes kur hapni frigoriferin mos iu dal në frigorifer, kjo është pjesë e kësaj pune. Më vjen shumë mirë që të paktën në një masë të madhe Fieri, flas qyteti, flet vetë çfarë është bërë, por pa diskutim që do të bëjmë akoma më shumë nga se është bërë. Vullneti është njësoj si ditën e parë dhe dëshira është çdo ditë e më e madhe se koha vrapon”, tha Rama./tvklan.al