“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”.

Ky propozim për një president të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën, bërë në seancën solemne në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nuk ishte një propozim konkret i cili mund të marrë udhë në një të ardhme të afërt, por një imagjinatë. Këtë të paktën thotë vetë, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Televizionin Klan, i cili sqaron qëllimin e kësaj deklarate.

“Së pari nuk ishte një deklaratë, por ishte një imagjinatë. Ajo fjali vjen si rezultat i një sërë fjalish të mëparshme, ku ndër të tjera thuhet se Serbia dhe Kosova do të kenë kryer me sukses dialogun e tyre të vështirë. Ishte një imagjinatë, që lidhej me një moment jubilar”.

Rama e cilëson si të tepruar reagimin që shkaktoi propozimi i tij në Tiranë, në Prishtinë, në rajon dhe Bruksel, ndërsa thotë se ai është nxjerrë nga konteksti i fjalimit të tij.

“Ky sport kombëtar që edhe ndërkombëtar shpeshherë, ku merret një fjali, nxirret nga konteksti dhe pastaj për fat të keq dëmtohet ajo çka mendohet se po riparohet, i mbetet vetëm konsumit të ditës. Ndërkohë që fjala ime në Kuvendin e Kosovës, ishte një fjalë e mirë menduar dhe e ndjerë deri në fund.”

“Merret në konsideratë i gjithë konteksti, nuk ka asgjë as për t’u alarmuar, as për t’u çuditur dhe as për të reaguar a thua se ky ishte një program, apo një plan i shpallur, apo thua se kjo do të ndodhë sot, apo do të ndodhë nesër. Kjo mund të mos ndodhë kurrë, por edhe mund të ndodhë. Është thjeshtë çështje e një imagjinate, që bazohet tek e shkuara, synon të rrokë një nga mundësitë e të ardhmes. Edhe reagimi i Komisionit Europian, mund të konsiderohet politikisht korrekt, edhe pse në këndvështrimin tim, i tepërt dhe i panevojshëm”.

Reagimin që erdhi nga Serbia, Kryeministri e quan të natyrshëm.

Kryeministri nuk e sheh këtë deklaratë të tij aspak të lidhur me procesin e negociatave Kosovë-Serbi e aq më pak të mund të ndikojë në këtë proces.

“Në rastin e Serbisë, është edhe më e qartë që këto reagime nuk mund të mungojnë kurrë, sepse Serbia akoma jeton me idenë se Kosova nuk është e shqiptarëve, Kosova nuk është e Kosovës, por është një krahinë e Serbisë. Dhe për sa kohë ata mendojë se Kosova është një krahinë e Serbisë, mund të vazhdojnë të flasin”.

Propozimi i Kryeministrit Rama për president të përbashkët si simbol i unitetit kombëtar, por dhe një politikë të jashtme dhe politikë të sigurisë kombëtare ngjalli një reagim të fortë.

Intervista e plotë:

Zoti Rama, deklarata juaj e bërë në Kuvendin e Kosovës, për një President të përbashkët ka shkaktuar një reagim të fortë si në Shqipëri, Kosovë, Bruksel, Serbi dhe së fundmi edhe në Greqi. A ishte ky qëllimi për të krijuar një reagim të tillë, apo një propozim i mirëmenduar?

Kryeministri Edi Rama:

Së pari nuk ishte një deklaratë, por ishte një imagjinatë. Në një kontekst ku nuk mund të nxirret një fjali dhe vetme dhe pastaj të bëhet një zhurmë e madhe në kazan. Ajo fjali vjen si rezultat i një sërë fjalish të mëparshme, ku ndër të tjera thuhet se Serbia dhe Kosova do të kenë kryer me sukses dialogun e tyre të vështirë. Dhe serbët dhe shqiptarët do të jetojnë si fqinj të mirë, pranë njëri tjetrit, bashkë me njëri tjetrin duke punuar për të ardhmen. Ishte një imagjinatë, që lidhej me një moment jubilar dhe me çfarë mund të jetë 10 vite më pas, Kosova duke u nisur nga fakti se 20 vite më parë askush nuk do ta imagjinonte se në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ne do të ishim të gjithë së bashku dhe do të kishte një 10 –vjetor të pavarësisë së Kosovës.

Ky sport kombëtar që edhe ndërkombëtar shpeshherë, ku merret një fjali, nxirret nga konteksti dhe pastaj për fat të keq dëmtohet ajo çka mendohet se po riparohet, i mbetet vetëm konsumit të ditës. Ndërkohë që fjala ime në Kuvendin e Kosovës, ishte një fjalë e mirë menduar dhe e ndjerë deri në fund.

Po thoni që jeni keqkuptuar dhe Bashkimi Europian e ka bërë deklaratën mbi një keqkuptim ?

Kryeministri Edi Rama:

E njëjta gjë ndodhi disa kohë më parë kur u nxor nga konteksti një fjali dhe u ngrit një zhurmë e madhe për medemek, deklaratën Shqipërinë e madhe. Pra, edhe njëherë fjalia ime është në një konteksti. Nëse merret në konsideratë i gjithë konteksti, nuk ka asgjë as për t’u alarmuar, as për t’u çuditur dhe as për të reaguar a thua se ky ishte një program, apo një plan i shpallur, apo thua se kjo do të ndodhë sot, apo do të ndodhë nesër. Kjo mund të mos ndodhë kurrë, por edhe mund të ndodhë. Është thjeshtë çështje e një imagjinate, që bazohet tek e shkuara, synon të rrokë një nga mundësitë e të ardhmes. Edhe reagimi i Komisionit Europian, mund të konsiderohet politikisht korrekt, edhe pse në këndvështrimin tim është i tepërt dhe i panevojshëm.

A dëmton kjo deklaratë e juaja procesin e negociatave Kosovë-Serbi, kam parasysh qëndrimi që erdhi nga Serbia, ku ju u kërkuat të shpalleshit non-grada?

Kryeministri Edi Rama:

Me reagimet e Serbisë jemi mësuar dhe nuk besoj se ka ndonjë çudit dhe ndërkohë ajo që çudit janë reagimet mes nesh dhe brenda nesh. Edhe reagimi i Komisionit Europian mund të konsiderohet korrekt, edhe pse në këndvështrimin tim është i panevojshëm. Përsa i përket dëmtimi të dialogut edhe njëherë e përsëris, pjesë e atij përshkrimit e gjithë imagjinar ishte pikërisht përfundimi me sukses i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që është premisa për gjithçka që vjen pas. Qoftë për Serbinë e integruar në Bashkimi Europian , qoftë për Kosovën e integruar në Bashkimi Europian. Ka dhe një tjetër element, ku unë kam thënë se në atë vit Shqipëria dhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimi Europian.

Ministri Daçiç ka kritikuar qëndrimin e Komisioni Eupopian, ku sipas tij duhet të ishte më i fortë.

Kryeministri Edi Rama:

Zoti, Daçiç është gjithmonë shumë i fortë kur ndizen dritat dhe shumë i arsyeshëm kur fiken kamerat.

Dhe kjo deklaratë është bërë nën efektin e dritave të kamerave?

Kryeministri Edi Rama:

Si gjithmonë ka reagime dispoporcionale dhe të panevojshme, por në rastin e Serbisë  është edhe më e qartë që këto reagime nuk mund të mungojnë kurrë, sepse Serbia akoma jeton me idenë se Kosova nuk është e shqiptarëve, Kosova nuk është e Kosovës, por është një krahinë e Serbisë. Dhe për sa kohë ata mendojë se Kosova është një krahinë e Serbisë, mund të vazhdojnë të flasin dhe nuk duhet të çuditemi. Ajo që më Ben çudi janë reagimet brenda nesh dhe brenda nesh për një fjalë në një moment jubilar, ku jo vetëm s’është e paudhë, por është plotësisht e arsyeshme dhe e durueshme që edhe të imagjinohet si do jetë e ardhmja.

Pas kësaj deklarate a kishit ndonjë komunikatë me ndonjë  përfaqësues të shtetit serb, përveç deklaratave të bëra në media?

Kryeministri Edi Rama:

Asnjë reagim. Ajo që thashë për dritën e kamerave lidhet me faktin që ndërkohë jashtë kamerave ka një dialog, që është një dialog i domosdoshëm, i vështirë dhe për të shkuar pastaj në shumë shtigje që sot na i çon imagjinata. 

Tv Klan