Mjekët kanë në dorë instrumentet e klasit të lartë

Akuzat e SPAK për korrupsion ndaj sipërmarrësit dhe disa ish-zyrtarëve të përfshirë në koncesionin për sterilizimin, nuk ndikojnë për të ndërprerë këtë shërbim në spitalet e vendit.

Garancinë e jep kryeministri Rama i cili në kulmin e debatit publik e politik për këtë çështje zgjodhi të shkojë personalisht në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ për të siguruar mjekët dhe pacientët që shërbimi i sterilizimit do të vijojë.

“Kam marrë disa mesazhe, por më shumë sesa pak mesazhe nga mjekë, që edhe ndonjë as nuk e njihja, se ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë dhe ku do shkojmë, dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje dhe nuk ka shanse sepse qëllimi jonë i përbashkët dhe arsyeja që e kemi bërë këtë, ka qenë që t’ju japim, ju në dorë instrumentet e klasit më të lartë sot dhe janë të klasit më të lartë sot; nuk ka qenë që hajde të bëjmë këtë dhe pastaj ju kapni ça të kapni. Kush sheh me këtë rast ‘’kapni ça të kapni’’, ka tjetër drejtim, atje ku e dimë. Ne jemi për këtë drejtim dhe kjo jo vetëm është e garantuar por duhet edhe të  përsosim duke qëndruar vazhdimisht në nivelin më të lartë sepse ndërkohë edhe bota i përsos këtë gjëra.”

Si për çdo punë të bërë këto 10 vite kryeministrit i pëlqen të tregojë si ishte dhe si u bë, e në ndihmë i erdhën dhe mjetet e vjetra që drejtorja e spitalit i kishte ekspozuar, por dhe vetë mjekët që folën për eksperiencat e tyre para dhe pas nisjes së shërbimit të sterilizimit.

“Unë desha të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment ku është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës edhe të kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka patur sistemi dhe çfarëdo qoftë, individë të caktuar  mund të kenë bërë pas shpine po themi, që është çështja e tyre me drejtësinë, por ndërkohë një nga gjërat që janë shumë evidente sot, vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimit total që është bërë për këtë proces, dhe gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar për procesin sot që flasim.”

Nuk mungon dhe premtimi për rritjen e pagave për mjekët dhe infermieret, por dhe ai për sjelljen e pajisjeve robotike për ndërhyrje të specializuara kirurgjikale.

Tv Klan