Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve, e sidomos të rinjve, që të vaksinohen kundër Covid-19.

Nga Qendra Shëndetësore Nr.1 në Tiranë, kreu i qeverisë ripërsëriti se studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen të hyjnë në auditore.

E njëjta vlen edhe për mësuesit e pedagogët, të cilët duhet të jenë të vaksinuar.

Ndërsa për studentët që nuk duan të vaksinohen, Kryeministri theksoi se kjo është zgjedhja e tyre, por duhet të zhvillojmë mësim online apo në forma të tjera pa rrezikuar të tjerët në ambientet publike.

Studentët që nuk do të vaksinohen nuk do të hyjnë në auditore sepse nuk ka mundësi që pjesa që do të mbrohet të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit. Askush nuk i merr dot me forcë, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, administratën, aty ku janë mjedise publike ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët. Nuk ta ka borxh pjesa tjetër marrëzinë në raport me realitetin. E mira është të vaksinohesh sepse jetën duhet ta mbrosh, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve. Është fare e qartë.

Nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa kush shumë tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Ne kemi bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit, kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe prandaj ne jemi shumë më të mbrojtur sot se nëse ne nuk do të kishim pasur këtë sukses në këtë proces, sot ne do ishim duke numëruar, larg qoftë, dhjetra të vdekur në ditë. Ky është fakt siç po numërojnë të tjerët.

Ne nuk mund dot të hyjmë dot në situata të rrezikshme për shkak të atyre që thonë jo Bill Gates, jo George Soros. Këtu tani ndahen gjërat dhe në auditore do hyjnë ata që vaksinohen. Të tjerët le të vazhdojnë të bëjnë mësim alternativ, ta bëjnë online, ta bëjnë si të duan, le të marrin përsipër kostot që ka kjo gjë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al