Studentë të Fakultetit Ekonomik janë të parët që kanë marrë në duar Kartën e Studentit. Procesi për marrjen e kartës u ndoq nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili dha edhe disa sqarime rreth procesit.

“Kemi rreth 100 mijë karta për rreth 80 mijë studentë. Kështu që, parashikojmë deri në fund të muajit shumica ta kenë marrë…Studentët e vitit të dytë për dy vite dhe studentët e vitit të tretë apo të masterit, e marrin në Tetor deri sa mbaron afati i tyre. Duke filluar nga sot çdo pikë që ofron këtë shërbim do të ketë një stiker që thotë “këtu pranohet karta e studentit.”

Teksa i dorëzoi kartën një prej studentëve, kreu i qeverise nuk kursen humorin.

“Faleminderit që nuk po protestoni pse ka radhë. Kjo është shenjë e rëndësishme durimi.”

Shembulli i bashkisë së Tiranës në implementimin e Kartës se Studentit sipas Kryeministrit duhet ndjekur nga të gjitha bashkitë ku ka studentë.

E kanë gati edhe eksperiencën, edhe sistemin, mjafton që ta vënë atë në punë. Ne do t’i shtyjmë, do t’i nxisim, e nëse nuk do na dëgjojnë, do ju lutemi dhe ju që të bëni një protestë tjetër tek dera e bashkisë dhe “duam kartat tona, duam kartat tona” dhe kjo gjë do realizohet.”

Karta do t’ju mundësojë studenteve lehtësira në 62 shërbime publike dhe mbi 40 kompani private. Pajisja e studenteve me kartë parashikohet të përfundojë në fillim të muajit Korrik.

Tv Klan