“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala”.

Me këtë fjali e ka nisur Edi Rama reagimin e tij për sulmin ndaj gazetares, pasi kërkon zbardhjes sa më parë të krimit dhe ndëshkimin e keqbërësve.

“Strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht”

shprehet Rama që inkurajon gazetaren.

Presidenti Republikës, Ilir Meta dënoi ashpër sulmin me armë në banesën e gazetares Lala dhe kërkoi hetim të plotë dhe shterues për ngjarjen. Kreu i shtetit zbulon se ka komunikuar personalisht në telefon me Klodianën që e ka inkurajuar të vijojë misionin e saj pa u trembur dhe pa u shantazhuar nga askush.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli në konferencë urgjente për shtyp dhe e lidhi sulmin me qeverisjen e Ramës, të cilit iu drejtua me një mesazh.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur këtë

“një sulm të armatosur terrorist dhe një përpjekje mafioze për ti mbyllur gojën një gazetareje investigative, e cila po investigonte me guxim dhe vendosmëri mbi kokainën, krimin dhe trafiqet kriminale të niveleve më të larta të familjeve qeveritare mafioze”.

Sipas ambasadës së Shteteve të Bashkuara

“Fakti që gazetarja u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj- sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë”.

“Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frike sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”

 , thuhet në reagimin e ambasadës.

Edhe përfaqësia e Bashkimit Europianë në Tiranë dënoi sulmin, shprehu mbështetjen për gazetaren Lala si dhe ftoi autoritetet që të hetojnë plotësisht dhe menjëherë ngjarjen.

Reagim erdhi dhe nga zyra e OSBE në Tiranë që autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. “Dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë” thuhet në postimin në faqen zyrtare të OSBE.

Tv Klan