Kryeministri Edi Rama sulmoi opozitën gjatë nisjes së fushatës së Partisë Socialiste. Duke komentuar mbledhjen që Partia Demokratike u kishte bërë qytetarëve, Rama tha se tregon papërgjegjshmërinë e opozitës dhe se për ata, partia qëndron mbi qytetarët shendetin e tyre. Sipas tij, ky është ndryshimi mes PS-së dhe PD-së.

“Në këtë sfidë të bëjmë një dallim shumë të madh, që po e bëjmë dhe sonte. Sonte praktikisht ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë. Mjafton të shohësh dy kartolinat për të dalluar hendekun e madh që ndan ne dhe ata në mënyrë të të qenit dhe në mënyrën tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, që mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë, ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit, kjo është fytyra e fushatës sonë, fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore. Atje sundon papërgjegjshmëria. Këtu shëndeti i njerëzve është edhe njëherë si çdo ditë mbi gjithçka tjetër dhe mbi partinë patjetër. Ndërsa atje partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve”, tha Rama./tvklan.al