“Dëmi i papërballueshëm vetëm nga ne”

Edi Rama ju drejtua disa herë librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, për t’i shprehur Turqisë falenderimet për mbështetjen e treguar në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit por dhe ndihmën e premtuar financiare.

Asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja që vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar jetë të tjera. Faleminderit që me kenë krijuar mundësinë të jem këtu. Nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet i treguar nga të gjitha anët deri tani është larg të qenit mjaftueshëm për të kapërcyer tragjedinë. Po kërkoj dritën në zemrat tuaja. Drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët. Kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve të saj. Turqia e provoi edhe njëherë që i përmbahet urtisë së saj dhe nuk braktisi një mik dhe si thotë një shprehje e vjetër, të ecësh me një mik në errësirës është më mirë se i vetëm në dritë”. 

Në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për investimet publike e private, të thirrur nga Presidenti turk Erdogan, Kryeministri ka kërkuar mbështetje nga të gjithë sipërmarrësit pasi dëmet e tërmetit, thotë ai, janë të papërballueshme nga buxheti i vendit.

“Kurani na mëson se katastrofat njerëzore janë sprova. Dua që katastrofa që po kalojmë të kthehet në frymëzim, dhimbja të kthehet në forcë. Katastrofa ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme. Dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do arrijmë të bëjmë për Durrësin atë që Turqia bëri për Izmirin. Shumica e ndërtesave të shkatërruara janë struktura shumëkatëshe me nja dhjetëra familje. Ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është njerëzisht e përballueshme për ne. Përtej debateve tokësore, le të kemi besim se Zoti pranon vetëm atë që është e drejtë”.

Dhe gatishmëria e sipërmarrësve turq për të mbështetur financiarisht Shqipërinë, është treguar dhe gjatë konferencës. Ndërkohë, përpara saj, Rama e Erdogan kanë biseduar për më tepër se 3 orë kokë më kokë. Vetë Presidenti turk premtoi se vendi i tij do të merrte përsipër ndërtimin e 500 apartamenteve të cilat, siç tha këtë të dielë në Stamboll, do të jenë të përfunduara brenda një viti.

Ministria e Kultures ka nisur kontaktet dhe këto ndërtesa, vetë Rama ka deklaruar se do të ngrihen në zonën e Laçit, edhe ky një qytet shumë i prekur nga goditjet sizmike. Po ashtu, nga Turqia do të plotësohen dhe nevojat për çadra për banorët e zonave rurale të cilët të lidhur me tokën dhe blegtorinë, kanë zgjedhur të mos i braktisin ato.

Tv Klan