Në nëntor në Tiranë përfaqësues të diasporës nga 50 vende të ndryshme të botës, ku jetojnë shqiptarë do të mblidhen në të parin samit të diasporës.

Lajmin e bën publik kryeministri Rama që vizitën e tij zytare në SHBA e ka nisur me një takim me komunitetin shqiptar në Amerikë, duke e vlerësuar këtë takim si një etapë të re në marrëdhëniet konkrete mes shqiptarëve të diasporës.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë:

”Unë jam i bindur që mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë se në nëntor të këtij viti do të organizojmë samitin e parë të diasporës shqiptare në Tiranë. Puna për organizimin e samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë, na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare, nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë”

 I pranishëm në takim ishte dhe Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit të Neë York-ut, Eric Scheiderman, si dhe Mark Gjonaj anëtar i asamblesë së shtetit të New York-ut.

Po në New York, kryeministri është pritur dhe nga kryebashkiaku Bill de Blasio, ndërsa në datën 14, kreu i qeverisë do të pritet në Shtëpinë e Bardhe nga presidenti Barak Obama.

Elja Zotka, Tv Klan