Kryeministri Edi Rama e ka nisur me një takim me Kryeministrin e landit të Bavaris, Markus Soder vizitën e tij në Gjermani ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut.
Ka qenë vetë kreu i qeverisë shqiptare ai që ka shpërndarë pamjet nga ky takim, ku të pranishëm ishte edhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ai i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Kryeministri nuk zbulon ndonjë detaj nga çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi, por në një koment në rrjetet sociale, thekson se Soder, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i CSU-së, është një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin e lidh një miqësi e hershme.
Gjatë qëndrimit në Mynih, Rama do të jetë pjesë e panelit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme” bashkë me Kancelarin e Austrisë dhe ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite.
Kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm edhe në panelin me temë “Zgjerimi i BE”, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos.
Tv Klan